Konventa e ‘të lumturve’…në hotel ‘Emerald’ u dëgjua vetëm ‘Rroftë mbreti!’
Në sallën e hotelit “Emerald”-it vezullonin fytyrat e atyre që kanë zgjidhur problemet e punësimit të çdo anëtari madhor të familjarëve dhe akraballëkut… Të gjitha nivelet e pushtetit, prej atij komunal e deri në pushtetin qendror, “rrezatojnë” nga lumturia e familjarëve dhe farefisit të tyre. E njëjta gjë vlen për RTK-në, PTK-në, bordet e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike në nivel qendror, rajonal apo komunal: “rrezatojnë” nga lumturia vetëm “ata” që janë “të tyre”. E për të tjerët? Për qindra mijëra njerëz që i ka kapluar skamja kjo elitë luksoze gjen luksin të deklarojë publikisht: I kemi dëgjuar brengat e tyre!
Sikur të mos ishin karriget kam bindjen e plotë se ashtu të “lidhur” dorë për dore dhe të qeshur do t’ia nisnin valsit të lumturisë. Por, përtej lidhjes së duarve për të përcjellë mesazhin e unitetit, secili hallexhi i Kosovës sheh unitetin e tyre rreth zhvatjes së atdheut. Përfitimet personale janë arsyet e vetme që i mbajnë bashkë të ulur në karrige me “duar të lidhura” këta njerëz që i dhanë karakter të “Oborrit mbretëror” sallës së Konventës së PDK-së. Përndryshe, sikur të mos ishin interesat individuale dhe grupore që i kanë lidhur njëri me tjetrin ata do të bëheshin copa njëri me tjetrin. Njëjtë siç na i kanë përshkruar shkrimtarët e mëdhenj grindjet e njerëzve me karaktere të vogla…
Veprimet që më bën ta krahasoj sallën e hotel “Emerald”-it me “Oborret mbretërore” të dikurshme lidhen me logjikën se kur mungon dikush nga oborrtarët e mëparshëm nuk përmendet fare. Qoftë edhe personi që është adhuruar më së shumti! Për dallim nga periudha e “Oborreve mbretërore” kur brohoritej “Mbreti vdiq, rroftë mbreti!” në sallën e hotel “Emerald”-it u dëgjua vetëm “Rroftë mbreti!” Mbreti i mëparshëm as që u zu në gojë!
Të mos flasim për militantët, anëtarët dhe votuesit e thjeshtë të partisë! Ata edhe më tej duhet të kontribuojnë për lumturinë dhe kënaqësinë e “oborrtarëve” të partisë. Edhe pse “as kësaj here nuk u ka ardhur radha” për privilegje, atyre u lihet mundësia të shpresojnë se një ditë, kur të ngihen oborrtarët e sallës së hotel “Emerald”-it do t’u vijë rendi edhe atyre. Ndërsa, sa për qytetarët që nuk bëjnë pjesë në rrethin e tyre e që janë duke hequr të zitë e ullirit, ata duhet të kënaqen vetëm me faktin se dikush i ka dëgjuar me kujdes brengat e tyre!
E kanë trashur zullumin!
Populli shqiptar ka një shprehje shumë filozofike: zullumi nga të trashit këputet! Kam besim se ky zullum mund të këputet shumë shpejt nga dora e përvuajtur e votuesit në Kosovë.