Kontratë për seks? Kjo e shkatërron pasionin

Të paktën në perëndim, secili është bërë masivisht i ndërgjegjshëm për nivelin e detyrimit dhe shfrytëzimit në marrëdhëniet seksuale.
Sidoqoftë, duhet të kemi parasysh poashtu faktin [jo më pak domethënës] që miliona njerëz në baza ditore flirtojnë dhe e luajnë lojën e joshjes, me një qëllim të qartë të gjetjes së një partneri për të bërë dashuri. Kërkesa e kulturës moderne perëndimore është që të dyja sekset duhet të jenë pjesë aktive në këtë lojë.
Kur një grua vishet në mënyrë provokative për të tërhequr shikimin e meshkujve apo kur ato e “objektifikojnë” vetveten në mënyrë që të joshen, ato nuk e bëjnë këtë duke e ofruar veten si objekte vetëm pësore ose pasive: por ato janë agjente aktive të ‘objektifikimit’ të tyre, duke i manipuluar meshkujt, duke luajtur lojëra ambige, ku përfshihet mundësia që të dalin jashtë lojës kur të duan, edhe nëse, për shikimin mashkullor, kjo duket të jetë në kundërthënie me ‘shenjat’ e mëparshme që kishte dhënë po ajo grua.
Kjo grua e lirë kënaqet duke i bezdisur të gjitha llojet e fundamentalistëve, prej myslimanëve që së fundi i kanë ndaluar gratë që të prekin dhe të luajnë me banane dhe frute të tjera që i shëmbllejnë penisit për shovinizmin tonë mashkullor të zakonshëm i cili shpërthen në dhunë kundër një gruaje që e para i ‘provokon’ ata, e që më pas i refuzon rrjedhojat e atij ‘provokimi’.
Çlirimi seksual femëror nuk është vetëm një tërheqje puritane nga të qenët “e objektivizuar” [si objekt seksual për mashkujt} por edhe e drejta që të luajnë aktivisht me vetë-objektivizimin, duke e ofruar veten dhe duke u tërhequr kur të duan. Por, a do të jetë ende e mundur që të proklamojmë këto fakte të thjeshta, apo a do të arrijë që presioni i korrektësisë politike të na detyrojë që t’i shoqërojmë të gjitha këto lojëra me njëfarë deklarimi formalo-legal [të konsensualitetit, etj.]?
Të menduarit e ri
Ideja e re e korrektësisë politike është e ashtuquajtura “Consent Conscious Kit,” [shih foton poshtë] së fundi në shitje në ShBA: një çantë e vogël me një kondom, me një stilolaps, çamçakëza për erë të gojës dhe me një kontratë të thjeshtë që deklaron se të dy pjesëmarrësit me vullnet po e bëjnë aktin seksual. Ajo që kërkohet është që çifti i gatshëm për të bërë seks ose e bën një foto duke e mbajtur në duar kontratën, ose ata e nënshkruajnë kontratën kur dalin në takim.
Megjithatë, edhe pse kjo “Consent Conscious Kit,” adreson një problem real, e bën atë në një mënyrë e cila nuk është vetëm idiote por edhe në mënyrë direkte kundër-produktive. Shtrohet pyetja pse?
Ideja themelore e parakuptuar në të, është sesi një akt seksual, në mënyrë që të pastrohet nga çfarëdo dyshimi për detyrim, duhet të deklarohet – si një vendim i ndërmarrë në liri të plotë nga të dy participantët – shprehur me terme lacaniane, nga Tjetri i madh, dhe të mbishkruhet në një rend simbolik.
Si i tillë, “Consent Conscious Kit” është vetëm një shprehje e skajshme, ekstreme e një qëndrimi që po rritet gjithandej Amerikës – për shembull, shteti i Kalifornisë e ka kaluar një ligj që iu kërkon të gjitha kolegjeve që të pranojnë adoptimin e politikave të cilat iu kërkojnë studentëve të tyre pranimin e një qëndrimi afirmativ – që definohet më gjerësisht si “një marrëveshje e vullnetshme, afirmative dhe e ndërgjegjshme për t’u bërë pjesë e aktivitetit seksual” .
Pamje më e madhe
“Marrëveshje afirmative, e ndërgjegjshme dhe e vullnetshme” – por nga kush? Gjëja e parë që duhet bërë këtu është të mobilizohet triada frojdiane e Ego-s, Superego-s dhe Id-it [në një version të thjeshtuar: vetëdija ime vetëndërgjegjësuese, agjencia e përgjegjësisë morale që ndryen norma në mua, dhe pasionet e mia më të thella gjysëm-të-mohuara].
Çka nëse ka konflikt mes këtyre trijave? Nëse, nën presionin e Superego-s, Ego-ja ime thotë JO, por Id-i reziston dhe ngulmon në dëshirën e mohuar? Ose [në një rast shumë më interesant] ndodh e kundërta: unë i them PO një ftese seksuale, duke iu dorëzuar pasionit tim të Id-it, por në mes të performimit të aktit seksual, duke bërë dashuri, Superego-ja ime shkakton një ndjesi të padurueshme faji?
Kështu, që t’i sjellim gjërat në absurditet, a duhet që kontrata të nënshkruhet nga Ego-ja, Superego-ja apo nga Id-i, pra të trija njëherësh, në mënyrë që përgjigjja të jetë valide vetëm kur të trija thonë PO? Plus, çka nëse partneri mashkull poashtu përdor të drejtën e tij kontraktuale që të kthehet mbrapsht dhe të refuzojë marrëveshjen në çdo moment të aktivitetit seksual? Imagjinoni nëse, pasi të merr miratimin e gruas së caktuar, kur e gjejnë veten të zhveshur në shtrat, një nga detajet e vogla trupore [tingulli i pakëndshëm i një gogësime vulgare] e prish sharmin erotik dhe e bën mashkullin që të tërhiqet? A nuk përbën kjo një poshtërim ekstrem për femrën?
Ideologjia që promovon ‘respektin seksual’ meriton të shqyrtohet më imtësisht. Formula bazike është: “Po, dtth po!” – duhet të jetë një po eksplicite, dhe jo vetëm një mungesë e jo-së. “Jo, jo” nuk numërohet automatikisht si “po” sepse nëse një grua që po joshet nuk i reziston joshjes aktivisht, e kjo poashtu e lë hapësirën të çelur për forma të ndryshme të detyrimit.
Prishësi i humorit
Këtu, megjithatë, problemi shumëfishohet: çka nëse një grua me pasion e dëshiron një gjë por është shumë e turpshme që hapur ta deklarojë ose shfaqë, pasionin e saj? Çka nëse, për të dy partnerët, detyrimi ose seksi me forcë është pjesë e lojës erotike? Dhe një po për çka, saktësisht, për çfarë lloje të aktivitetit seksual deklarohet ajo po? A duhet atëherë që forma e kontratës të jetë më e detajuar, në mënyrë që miratimi parimor të bëhet më i specifikuar: një po për vagjinën por jo për seksin anal, një po për… [shënim i përkthyesit: pjesa e mbetur është shumë eksplicite dhe e rëndë]
Dikush mundet shumë thjesht të imagjinojë një negocim të gjatë burokratik, që mund të vras gjithë dëshirën për seks, por që mundet poashtu të ndjellë libidon në vetë negocimin si akt. Këto probleme nuk janë aspak sekondare, ato e problematizojnë thelbin e ndër-lojës erotike nga e cila mund të tërhiqesh në një pozicion neutral dhe të deklarosh gatishmërinë [ose pagatishmërinë] për ta bërë: çdo akt i tillë është pjesë e ndërlojës edhe pse e de-erotizon situatën ose e formon njëfarë erotike të sajën.
Rregulli seksual “po don të thotë po” është një rast i nocionit narcistik të subjektivitetit që është dominues këto ditë. Një subjekt është përjetuar si i lëndueshëm, diçka që duhet mbrojtur nga një set kompleks rregullash, i paralajmëruar paraprakisht nga të gjitha ndërhyrjet e mundshme që mund ta shqetësojnë atë.
Kujtohuni qysh, pas publikimit të tij, ET [Extra-Terrestrial] ishte ndaluar në Suedi, Norvegji e Danimarkë: sepse portretizimi josimpatik që iu bën të rriturve ishte konsideruar i rrezikshëm për marrëdhëniet mes fëmijëve dhe prindërve të tyre. [Një detaj gjenial konfirmon këtë akuzë: në 10 minutat e parë të filmit, të gjithë të rriturit shihen poshtë rripave të tyre, si të rriturit në filmat e animuar që e kërcënojnë Tomin dhe Xherin…]
Nga perspektiva e sotme, mund ta shohim këtë ndalesë si një shenjë të hershme të obsesionit të korrektësisë politike me mbrojtjen e individëve nga çdo përvojë e mundshme që mund t’i lëndojnë në çfarëdo mënyre. Dhe lista mund të zgjerohet pafundësisht – madje edhe me propozimin për ta hequr duhanin digjitalisht nga filmat klasikë të Hollywoodit…
Po, seksi përshkohet nga lojëra pushteti, obskenitete të dhunshme, etj., por gjëja më e zorshme për t’u pranuar është se lojërat e pushtetit janë inherente me seksin. Disa vështrues më të vëmendshëm kanë vërejtur që e vetmja formë e relacionit seksual që plotësisht përshtatet me kriteriumin e korrektësisë politike do të ishte vetëm një kontratë mes partnerëve sadomazohistë.
Kësisoj, ngritja e Korrektësisë Politike dhe ngritja e dhunës janë dy anë të së njëjtës monedhë: për aq sa premisa bazike e korrektësisë politike është shkurtimi i seksualitetit në një miratim të përbashkët kontraktual. Dhe linguisti francez Jean-Claude Milner e kishte mirë kur vërente sesi lëvizjet anti-ngacmimeve seksuale pashmangshëm e arritën kulmin e tyre në kontrata që përcaktojnë forma ekstreme të seksit sadomazohist [ku njeriu trajtohet si qen, si skllav, ku ka torturë, e madje edhe vrasje me miratim].
Në forma të tilla të skllavërisë konsensuale, liria e tregut të kontratës mohon vetveten: dhe tregtia e skllevërve bëhet kërkesa e fundit e lirisë. Është si motivi i Jacques Lacan-it “Kanti me Sade-in” [hedonizmi brutal i de Sadit si e vërteta e etikës rigoroze kantiane] bëhet realitet në një mënyrë të papritshme. Por, para se ta mohojmë këtë motiv si thjesht një paradoks provokativ, duhet të reflektojmë mbi atë sesi ky paradoks vepron në realitetin tonë social.
Përktheu e përshtati nga rt.com, Periskopi