Kontraktohen mbi 34,600 euro për pakot e vendvotimeve, KQZ vonoi njoftimin për nënshkrimin e kontratës
Mbi 34,600 euro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e-KQZ, kontraktoi për t`u furnizuar me pako për vendvotime për zgjedhjet e 9 shkurt 2025. Kontrata u nënshkrua me 28.10.2024, mirëpo KQZ-së ju dashtë më shumë se dy muaj të përgatisë dhe të publikoj njoftimin për nënshkrimin e saj.
KQZ njoftimin për nënshkrimin e kontratës e kishte paraqitë në „E-prokurim“ me 10.01.2025 ndërsa në këtë platformë elektronike të prokurimi u publikua më 13.01.2025.
Ndryshe, me Ligjin për Prokurimin Publik, në nenin 41/A, thuhet po citoj: „Autoriteti i tillë kontraktues brenda dy (2) ditëve pas nënshkrimit të kontratës së tillë, do të përgatisë njoftimin për nënshkrimin e kontratës në gjuhët e cekura në nenin 13 të këtij ligji…”.
Kjo çështje është rregulluar edhe me rregulloren e prokurimit publik në Kosovë, përkatësisht në nenin 45.35.3 ku thuhet se një kontratë publike ka hyrë në fuqi, zyrtari i prokurimit brenda dy ditëve pas nënshkrimit të kontratës së tillë, do të përgatisë njoftimin për nënshkrimin e kontratës duke përdorur formularin përkatës.
Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje nga KQZ, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi pranuar përgjigje.
Nëpërmjet kontratës në vlerë 34,633 euro blihen sasi me nga 9,000 copë lapsa shkollor, mprehëse lapsi, vizore, gërshërë, markera të zi, post notes, letra higjienike, spango-konop rollne.
Njashtu blihen edhe 90,000 copë kimika të kaltër, dhe 18,000 qese të plastikët për paketim.
Për këtë furnizim, KQZ kishte përdorur procedurën e hapur të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës çmimi më i ulët.
Rikujtojmë se Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës pritet të mbahen më 09.02.2025.