Kontraceptivët, 5 arsye shëndetësore pse mjekët i rekomandojnë

Kontraceptivët, 5 arsye shëndetësore pse mjekët i rekomandojnë

Promovimi i planifikimit familjar dhe sigurimi i metodave kontraceptive të preferuara për gratë dhe çiftet, është thelbësor për sigurimin e mirëqenies dhe pavarësisë së grave, për shëndetin dhe zhvillimin e komuniteteve.

Çdo vit, në të gjithë botën, rreth 41% e shtatzënive janë të padëshiruara dhe më shumë se gjysma e tyre përfundojnë në abort. Këto ndodhin te femrat që nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive ose nga përdorimi jo i duhur i tyre, shpesh për shkak të mungesës së njohurive mbi kontraceptivët.

Disa metoda të planifikimit familjar si p.sh. kondomi, ndihmojnë edhe në parandalimin e transmetimit të HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.

Planifikimi familjar përforcon të drejtat e njeriut për të përcaktuar numrin e fëmijëve të dëshiruar dhe hapësirën nga njëra lindje te tjetra. Duke parandaluar shtatzëninë e padëshiruar, planifikimi familjar/ kontracepsioni parandalon vdekjen e nënave dhe fëmijëve.

Përfitimet e planifikimit familjar

Promovimi i planifikimit familjar dhe sigurimi i metodave kontraceptive të preferuara për gratë dhe çiftet, është thelbësor për sigurimin e mirëqenies dhe pavarësisë së grave, për shëndetin dhe zhvillimin e komuniteteve. Planifikimi familjar i lejon njerëzit të kenë numrin e dëshiruar të fëmijëve dhe të përcaktojnë hapësirën midis shtatzënive.

Parandalon rreziqet shëndetësore të lidhura me shtatzëninë te gratë

Aftësia e një gruaje për të zgjedhur nëse dhe kur do të jetë shtatzënë, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e saj. Planifikimi familjar mundëson vonimin e shtatzënisë dhe pakëson rrezikun për probleme shëndetësore e vdekje prej shtatzënive në moshë të hershme. Ai parandalon shtatzënitë e padëshiruara edhe te gratë në moshë të madhe, të cilat përballen me rreziqe të larta që lidhen me shtatzëninë.

Planifikimi familjar u mundëson grave të caktojnë madhësinë e familjes së tyre. Të dhënat tregojnë se gratë që kanë më shumë se katër fëmijë janë më të rrezikuara ndaj vdekjes. Duke kufizuar shtatzënitë e padëshiruara, planifikimi familjar kufizon nevojën për abort të pasigurt, dhe rrjedhimisht vdekjet prej këtyre aborteve.

Ul vdekshmërinë foshnjore

Planifikimi familjar mund të parandalojë shtatzënitë dhe lindjet afër njëra-tjetrës, duke kontribuar në uljen e vdekshmërisë foshnjore në botë. Foshnjat e lindura nga një shtatzëni e padëshiruar kanë norma të larta të vdekshmërisë foshnjore. Gjithashtu, foshnjat e nënave që vdesin si pasojë e lindjes rrezikohen më shumë për vdekje dhe kanë shëndet jo të mirë.

Ndihmon parandalimin e HIV/AIDS

Planifikimi familjar zvogëlon rrezikun e shtatzënive të padëshiruara te gratë që jetojnë me HIV, duke rezultuar në foshnja më pak të infektuara, si dhe në më pak jetimë (për shkak të vdekjes së nënave të tyre). Përveç kësaj, prezervativët (si një metodë e planifikimit familjar) sigurojnë mbrojtje të dyfishtë, si për shtatzënitë e padëshiruara ashtu edhe për Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme, përfshirë HIV.

Ndihmon fuqizimin e njerëzve dhe rritjen e arsimimit

Planifikimi familjar përfaqëson një mundësi për gratë që të ndjekin arsimin shtesë dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke përfshirë punësimin. Përveç kësaj, familja më e vogël u lejon prindërve të investojnë më shumë për secilin fëmijë.

Çiftet me më pak fëmijë kanë më tepër mundësi t’u sigurojnë atyre ushqim, veshje, strehim e shkollim. Fëmijët me më pak vëllezër e motra kanë më shumë mundësi për t’u shkolluar më gjatë.

Kufizon shtatzënitë tek adoleshentet

Shumë vajza adoleshente që mbeten shtatzënë duhet të lënë shkollën. Kjo ka ndërlikime afatgjata për ato si individë, por edhe për familjet dhe komunitetet e tyre.

Adoleshentet shtatzëna kanë më shumë gjasa të kenë lindje para kohe apo fëmijë me peshë të ulët në lindje. Bebet e lindura nga adoleshentet kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë foshnjore.

Ngadalëson rritjen e popullsisë

Planifikimi familjar është çelësi për ngadalësimin e rritjes së paqëndrueshme të popullsisë dhe efektit që ajo ka në planet. Rritja e pakufizuar e popullsisë ka ndikime negative në ekonomi e mjedis, si dhe në përpjekjet për zhvillim kombëtar dhe rajonal. Planifikimi familjar duhet të jetë gjerësisht i disponueshëm dhe lehtësisht i qasshëm nëpërmjet stafit të trajnuar shëndetësor, për këdo që është seksualisht aktiv, përfshirë adoleshentët.

Planifikimi familjar i lejon njerëzit të arrijnë numrin e tyre të dëshiruar të fëmijëve, dhe të përcaktojnë ndarjen midis shtatzënive. Kjo arrihet përmes përdorimit të metodave kontraceptive (dhe trajtimit të infertilitetit).

Sot ekzistojnë një sërë metodash moderne kontraceptive femërore dhe mashkullore, si p.sh. pilulat, injeksioni, DIU-ja/Tubi/Spiralja, prezervativi, sterilizimi femëror e mashkullor, norplantet etj.

Në vendin tonë shërbimet e planifikimit familjar ofrohen në tri nivelet e kujdesit shëndetësor -kujdesin shëndetësor parësor: qendrat shëndetësore dhe ambulanca në qytet e fshat; -kujdesin shëndetësor dytësor: qendrat e planifikimit familjar në maternitetet e rretheve;  -kujdesin shëndetësor tretësor: qendrat e gruas pranë Spitaleve Universitare Obstetrikë-Gjinekologjikë materniteti “Nëna Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Nga viti 1996, kontraceptivët si pilula, prezervativi, injeksioni, DIU-ja dhe lidhja e tubave, ofrohen falas në të gjitha shërbimet shëndetësore publike. Lidhja e tubave dhe vendosja e DIU-së në mitër realizohet vetëm në maternitete nga mjekë specialistë obstetër-gjinekolog.

Kontraceptivët ofrohen edhe në sektorin jopublik në të gjitha farmacitë e vendit.

Një femër përpara se të fillojë të përdorë një metodë kontraceptive duhet të konsultohet me personelin shëndetësor, i cili ndihmon në zgjedhjen e metodës që do të përdoret, si dhe jep informacion më të hollësishëm për metodën e zgjedhur.

Shpërndaje në: