Konsumimi i alkoolit rriti me 67% vdekjet tek gratë në 10 vitet e fundit
Vdekjet nga përdorimi i alkoolit janë rritur gjatë 10 viteve të fundit veçanërisht në mesin e grave, zbulon një raport i ri. Shkalla e vdekjeve të lidhura me alkoolin në Amerikë u rrit 35 për qind mes viteve 2007 dhe 2017.
Vdekshmëria u rrit me 67 për qind vetëm tek gratë. Të dhënat nga Universiteti i Uashingtonit, të raportuara për herë të parë nga USA Today, vijnë një vit pasi të dhënat federale treguan një rritje të mprehtë në pirjen e alkoolit në mesin e grave dhe të moshuarve. Megjithatë, studiuesit thonë se, meqenëse vëmendja më e madhe i është kushtuar vdekjeve nga opioidet në SHBA, numri i viktimave të alkoolit është rritur pa u vënë re.
Të dhënat e IHME ishin pjesë e një raporti të gjerë, ku u shqyrtuan normat dhe shkaqet e vdekjes, normat e lindjeve, lindshmëria duke e krahasuar me një shkallë globale. Ky studim mori në vëzhgim të gjitha shtetet amerikane dhe tregoi se bëhet fjalë për një prirje veçanërisht shqetësuese midis grave. Studiuesit thonë se vdekshmëria e lartë lidhet edhe me organizmin e grave. “Gratë janë në përgjithësi më të vogla se meshkujt dhe kanë më pak ujë dhe më shumë yndyrë në trup.
Niveli i alkoolit në gjak rritet më shpejt dhe qëndron më lart te femrat, kështu që efektet e dëmshme të alkoolit, edhe nëse një burrë dhe një grua pinë një sasi të njëjtë, do të shfaqen më shpejt në gratë “. Alkooli mund të shkaktojë sëmundje të mëlçisë, kancer, aksidente dhe probleme të rrezikshme për jetën. Sipas raportit të ri të ekspertëve amerikanë, shkalla e vdekshmërisë së alkoolit është më e lartë në Uashington DC, Gjeorgji dhe Albama.