Konsultimet për zgjedhjet, në KQZ thonë se përgatitjet i nisin pasi të caktohet data
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar per datën 31 korrik kryetarët e partive politike për të folur rreth datës së zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky institucion “fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre”.
Por, pavarësisht se data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, Elezi ka thënë se KQZ ka punuar që të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.
“Duke qenë të vetëdijshëm se ky është një vit zgjedhor, që nga fillimi i këtij viti, KQZ e ka orientuar punën në parapërgatitjen e shumë çështjeve që ndërlidhen me detyrimet ligjore të KQZ-së. Në këtë drejtim është edhe softueri i KQZ, zhvillimi i të cilit është në përfundim e sipër dhe është mundësuar me mbështetjen e OSBE-së. Me anë të këtij softueri, do të digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore”, tha Elezi për Express.
Ai ka sqaruar se “përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive”.
Tashmë ftesës së Osmanit i janë përgjigjur partitë opozitare.
Për Tëvë1, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se kanë marr letrën nga Presidentja dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe aty do ta shpalos qëndrimin e partisë.
Sekretarja e PDK’së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka thënë se në takim do të tregojnë edhe datën e tyre të preferuar.
“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve, sigurisht që i përgjigjemi ftesës. PDK që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani lidhet me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta. Ne do të marrim pjesë dhe qëndrimin për këtë çështje dhe për datën e preferuar do ta themi aty”, ka thënë ajo.
Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili tha se AAK nuk ka ndonjë arsye që mos të marrë pjesë në takim, megjithatë ka shtuar se vendimi do të merret gjatë ditëve në vijim.
“Po kemi pranuar letrën nga Presidentja. Në bazë të kësaj letre Presidentja konsultimet do t’i zhvillojë për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme brenda afatit të rregullt. Nuk shoh ndonjë arsye që Aleanca të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë vendimet për këtë çështje do ta marrin strukturat e partisë, besoj ditën e hënë”, ka thënë ai për Telegrafin.