Konjufca: Seanca e përbashkët dëshmon unitetin tonë përballë sfidave politike e gjeopolitike
Seanca e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe e Kuvendit të Shqipërisë nisi me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit Kombëtar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se kjo është seanca e parë e përbashkët që po mbahet në Prishtinë.
“Jemi mbledhur për ta dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike e gjeopolitike të sigurisë që e shoqërojnë rajonin e kontinentin tonë”, tha ai.
Konjufca tha tutje se Republika e Kosovës po e mbyll këtë vit e sulmuar drejtpërdrejt nga elemente që kanë lidhje me Serbinë e që po e synojnë destabilizmin e brendshëm të Kosovës, me metoda terroriste dhe ato të luftës hibride.
Sipas tij, sulmi në kanalin e ujit në Ibër Lepenc nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse si sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si një realitet sovran dhe si një rend ligjor e demokratik.
Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës tha se sulmi në Ibër Lepenc, në infrastrukturën kritike të Kosovës të furnizimit me ujë dhe energji vjen një vit pas sulmit në Banjskë, e që organizator dhe mbështetës ishte Milan Radoiçiqi i mbështetur drejtpërdrejt nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Prandaj, ku përbashkim i yni sot në këtë seancë të dy kuvendeve tona përbënë më shumë se simbolikën e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve tona. Kjo seancë duhet me u pa si dëshmi se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë çdo kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç interesit kombëtar që për ne është i përbashkët”, tha ai.