Konjufca: Përmes fotografive të Alban Bujarit u bë i njohur realiteti i luftës sonë

Falë punës së fotoreporterit Alban Bujari, Kosova i mban disa prej fotografive më të rëndësishme që lidhen me luftën në Kosovë, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Konjufca ka shprehur ngushëllime për Bujarin, i cili vdiq të enjten (27 shkurt), ndërsa ka theksuar se kujtimi i tij do të jetojë gjithmonë përmes veprës që la pas.
Ka shtuar se përmes fotografive të Bujarit, bota u njoh me realitetin e luftës në Kosovë.
“Kontributi i tij tejet profesional e rriti në vlerë dhe në produkt fushën e fotografisë në përgjithësi, e po ashtu në veçanti, falë punës së tij ne i kemi disa nga fotografitë më të rëndësishme që lidhen me luftën në Kosovë. Si fotoreporter i përkushtuar i luftës, ai dokumentoi këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë, duke i dhënë imazh ngjarjeve e duke i dokumentuar ato. Aparati i tij i bëri më të dukshme krimet e Serbisë në Kosovë, ndërsa mediat e huaja e bënë më të njohur realitetin e luftës sonë përmes fotografive të tij”, ka shkruar Konjufca.