Konjufca për Kadarenë: Dhimbja është shumë e madhe, do jetë i paharruar mes nesh

Konjufca për Kadarenë: Dhimbja është shumë e madhe, do jetë i paharruar mes nesh

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në homazhet për shkrimtarin, Ismail Kadare në Teatrin e Tiranës.

Teksa ka postuar disa fotografi nga ceremonia shtetërore e varrimit të Kadaresë, Konjufca tha se dhimbja për ikjen e tij është shumë e madhe.

Lexoni më poshtë postimin e plotë:

Sot mora pjesë në homazhet në Tiranë, në nderim të jetës dhe veprës së Ismail Kadaresë. Ai i dha aq shumë kombit shqiptar, e për këtë të gjithë do të jemi gjithnjë mirënjohës, ndërsa përmes tij populli shqiptar i dha botës një gjeni të letërsisë, e për këtë do të jemi gjithnjë krenarë, ne dhe brezat që do të vijnë.

 

 

Dhimbja për ikjen e tij është shumë e madhe, por ai do të jetë mes nesh i paharruar, me krijimtarinë e tij që do të mbetet e pavdekshme në letërsinë botërore!

Me veprën e tij ai zgjeroi gjuhën, mprehu perceptimet dhe stërholloi ndijimet, ndezi imagjinatën e formësoi përfytyrime për të gjithë popullin tonë. Figurat, frazat, vargjet dhe personazhet e tij janë tashmë referenca kolektive të mendimit dhe shqisave tona artistike si komb.

U prehtë në paqe e përjetësi, aty ku do të shndërrisë duke i bërë dritë të gjithë botës.

Shpërndaje në: