Konjufca: Nëse Kosova përjashtohet nga Procesi i Berlinit për shkak se do sundim të ligjit atëherë jam pa tekst
Kryeparlamentari Glauk Konjufca është ankuar për trajtim jo të barabartë mes Kosovës e Serbisë në procesin e dialogut.
Për mundësinë e përjashtimit nga Procesi i Berlinit për shkak që Kosova po refuzon që të heqë masat e sigurisë ndaj mallrave serbe siç ka kërkuar Gjermania përmes emisarit Manuel Sarrazin, Konjufca tha se është pa tekst nëse kjo do të jetë arsyeja që Kosova mund të përjashtohet.
Konjufca dha një përgjigje të gjatë për këtë çështje në një konferencë të përbashkët për media me kryeparlamentaren e Shqipërisë, Elisa Spiropali.
“Nëse i merrni dhe i analizoni me vëmendje gjithçka që ka pasë përmbajtje procesi negociator prej vitit 2011 kur ka filluar deri te Marrëveshja e Ohrit, që ishte marrëveshja e fundit e arritur në këtë proces, reagimet, qëndrimet dhe pozicionimet e BE-së dhe institucioneve ndërkombëtare karshi kësaj që është nënshkruar nuk janë të barabarta. Ju lutem! Nuk janë të barabarta. Janë standarde të dyfishta dhe unë këtë do ta them gjithmonë dhe shumë fuqishëm”.
“Kosova është e diskriminuar në këtë proces. Kosova po përjeton padrejtësi në këtë proces dhe nuk ka shembull më të qartë se ky: Kosovës po i bëhet presion dhe përjashtimi mund të vijë ndoshta për moszbatimit të marrëveshjeve apo dhe të sjelljes së Kosovës. Çka po bën Kosova është se po do që të realizojë një përmbajtje e cila është pikërisht marrëveshje. Është hapja e Urës [së Ibrit]. Negociatorët e mëhershëm e kanë bërë urën pjesë të negociatave, mirëpo palët janë pajtuar që ura të hapet. Tash kur Kosova do që të zbatojë këtë marrëveshje, nuk duhet të hapet ura, thonë faktorët ndërkombëtarë. Ndërsa fakti që ne ende nuk po mund të zbatojmë Asociacionin e për këtë Kosova meriton të përjashtohet. Këto janë standarde të dyfishta”, tha Konjufca.
Ai tha se nuk e përjashton mundësinë që Kosova edhe mund të përjashtohet, por tha se Kosova s’ka rrugë tjetër veçse “të luftojë”.
“Kosova nuk trajtohet e barabartë në procesin e dialogut. Serbia trajtohet ndryshe, Kosova ndryshe. Serbia favorizohet dukshëm në procesin e dialogut. Kjo ka qenë edhe në të kaluarën kështu, por fatkeqësisht po vazhdon edhe sot. E kemi parë gjithmonë dhe po vazhdojmë ta shohim edhe sot. Për këtë arsye do ta thosha që unë s’po them që e përjashtoj këtë mundësi që t’i ndodhë Kosovës, mirëpo ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse të luftojmë për të drejtat tona. Kosova dëshiron të vijë në një pikë – e kjo është betejë – dhe në këtë pikë do të vijmë patjetër sepse është betejë e drejtë që sundimi i ligjit mos me qenë destabilizim. Kjo është lufta që po e bën Kosova sot. A ka mundësi të bëjë edhe sundim të ligjit edhe shtrirje të sovranitetit edhe kjo mos me qenë destabilizim? Kjo është betejë e drejtë dhe kësaj s’mund t’i thoni gabim prej anës Kosovës. Ndoshta nuk e kemi gjetur mënyrën më të mirë, do ta përmirësojmë, por drejtimi është i mire”.
“E nëse për këtë përjashtohemi atëherë mund të them se më keni lënë pa tekst”.
Këto paralajmërime për Kosovën po vijnë para samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet me 14 tetor.