Konfirmohet se ministria e Liburn Aliu nënshkroi tender të kundërligjshëm për mirëmbajtjen e autostradave
Pavarësisht zhurmës së madhe që u krijua rreth tenderit për ‘Mirëmbajtën e dy Autostradave të Kosovës’ për tri vite, ministria që drejtohet nga Liburn Aliu i ka nënshkruar katër kontrata.
Tenderi është i ndarë në katër pjesë (lot) dhe Periskopi ka gjetur fakte të reja që çojnë në shkelje të tenderit “Mirëmbajtja dimërore dhe verore e autoudhes A7 lot 1 dhe lot 2 dhe mirëmbajta dimërore dhe verore e autoudhës A6, lot 3 dhe lot 4”.
Për njërën prej tyre, (më poshtë: lot2) është shpërblyer më kontratë Grupi i kompanive – me lider kompaninë “2A Group” SHPK & NNT “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.
Ditë më parë, Periskopi ka raportuar se oferta e lot 2 ka qenë e kundërligjshme, bazuar në dokumentacionin që ka dorëzuar njëri nga ofertuesit.
Kompania NNT ABC SH.P.K, ka dorëzuar referenca të kompanisë që nuk ekziston, respektivisht që është shuar pak muajve. Ofertimi më dokumentacion të kompanisë së shuar është i kundërligjshëm dhe mashtrim ndaj Autoritetit kontraktues.
Kompania N.N.T. ” A.B.C” është shuar më datë 11.03.2022 të njëjtën ditë është themeluar NNT ABC SH.P.K.
Në të shuarën ka qenë pronarë Arben Jetullahu, në të renë, është pronar Mirsad Jetullahu.
Në dosjen e tenderit – tek pjesa për kapacitete teknike dhe profesionale, Ministria ka kërkuar edhe “Listën e kontratave të realizuara përfunduara në lëmin e Mirëmbajtjes, të Autostradave, Rrugëve Nacionale, Regjionale dhe Lokale, për periudhën e shkuar tre vjeçare (2019, 2020 dhe 2021), etj”.
Siç shihet në kontratë, NNT ABC SH.P.K ka dorëzuar referencat e kompanisë që është shuar, që kanë të bëjnë me “Mirëmbajta Verore dhe Dimërore e rrugëve Nacionale dhe Regjionale të republikës së Kosovës 2017 -2018 -2019. Vlera e kontratave 3, 239, 324.45 euro”.
Periskopi ka marrë një mendim profesional nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik -KRPP në pyetjen:
“A mund të pranojë një Autoritet Kontraktues si ofertë valide, nëse një Operator Ekonomik ka ofertuar më dokumentacion të një kompanie që është shuar, në mënyrë për të paraqitur referencat e kërkuara, nëse oferta nuk është valide, me cilin nen bie në kundërshtim”.
Ky institucion, ka thënë se një situatë e tillë nuk është e paraparë ën Ligjin e Prokurimit Publik -KRPP, por në të kaluarën këtë situatë e kanë trajtuar në bazë të një opinioni që ka dalë nga ekspertët e prokurimit në kuadër Projektit: “Përmirësimi i kapaciteteve Administrative në fushën e Prokurimit Publik në Kosovë” për mbështetje të KRPP-së, i financuar nga BE-ja.
“Sa i përket pyetjes së lart cituar, KRPP, iu informon se një situatë e tillë nuk parashihet me dispozitat e LPP-së dhe as legjislacionit dytësor të prokurimit publik.
Pyetje të ngjashme KRPP ka pranuar edhe më herët dhe Përgjigjeje e KRPP-së janë mbështet kryesisht në Opinionin e dhënë nga konzorciumi “Planet” respektivisht nga ekspertët e prokurimit në kuadër Projektit “Përmirësimi i kapaciteteve Administrative në fushën e Prokurimit Publik në Kosovë” për mbështetje të KRPP-së, i financuar nga BE-ja.
Citat i Opinionit:
“Shuarja e operatorit ekonomik ekzistues do të thotë deklarim dhe ndërprerje e aktivitetit të një operatori ekonomik dhe themelimi i një operatori ekonomik të ri .
Të gjitha situatat dhe rrethanat që kanë të bëjnë me operatorin ekonomik i cili ndërpret aktivitetin kanë te bëjnë me ndërprerjen e aktivitetit të operatorit ekonomik në vetvete. Është parim i përgjithshëm se kur themelohet një kompani e re, kjo ka autonomi të plotë nga ajo a mëparshme.
Është krejtësisht ndryshe kur një kompani shkrihet në një ekzistuese. Në ketë rast i tërë prodhimi, prejardhja dhe referencat transferohen plotësisht në një kompani qe mban kapacitetin e tij ligjor””, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për Periskopin.
Pra, sipas KRPP-së oferta nuk ka qenë valide kur thotë se “Shuarja e operatorit ekonomik ekzistues do të thotë deklarim dhe ndërprerje e aktivitetit të një operatori ekonomik dhe themelimi i një operatori ekonomik të ri. Të gjitha situatat dhe rrethanat që kanë të bëjnë me operatorin ekonomik i cili ndërpret aktivitetin kanë te bëjnë me ndërprerjen e aktivitetit të operatorit ekonomik në vetvete. Është parim i përgjithshëm se kur themelohet një kompani e re, kjo ka autonomi të plotë nga ajo a mëparshme”.
Ndërkohë, KRPP-ja nuk është përgjigjur në pyetjen tonë “nëse oferta nuk është valide dhe nëse një Autoritet Kontraktues ka pranuar referenca nga një Operator Ekonomik që është shuar, a ka kompetenca KRPP që të ndërhyjë në këtë rast, sepse më sa kemi parë një rast i tillë ka ndodhur në Ministrinë e Infrastrukturës”.
Më pas Periskopi kishte drejtuar pyetje në adresën e menaxherit të “ABC”, Pajtim Jakupi, lidhur më atë se a ka ligjshmëri në ofertën e tyre, pasi janë paraqitur dokumente të kompanisë së shuar, por ky menaxher nuk ka kthyer përgjigje deri më tash.
Më 7 korrik, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ishte në Kuvend për Raportin e Auditimit të brendshëm për tenderin 16 milionësh, ku dyshohet se ka pasur parregullsi.
Aliu ka theksuar se do të bashkëpunojnë me hetuesinë e Prokurorinë.
“Për tenderin të cilin po flisni, parregullsitë i kemi marrë nga ankesat e operatorëve. Ankesat kanë qenë të bazuara dhe këtë raport e kam inicu vetë, bashkë me zëvendësministrin. Ka tregu që ka parregullsi dhe e marrim shumë seriozisht dhe e ftojmë Prokurorinë. Jemi të gatshëm dhe e kemi bërë gati materialin me u marrë pikërisht për këtë çështje”, ka thënë ai.
“Jemi shumë të vendosur me i shku kësaj pune deri në fund. Është pikërisht ky raport i auditimit që është inicu dhe është ndalë ai proces. Ka prodhu edhe atë serinë e sulmeve mediatike që ka qenë ndaj meje. Por, sa i përket sulmeve e atyre, ne nuk e kemi problem atë punë. Kemi me u marrë me hetuesinë e Prokurorinë”, ka shtuar ai.
Vetëm pak ditë, pasi ai bëri këto deklarata, zëvendësi i tij, për të cilin flitet që nuk po komunikon më të, ka nënshkruar katër kontrata, pasi tenderi ka qenë i ndarë në katër pjesë .
Të dhënat:
Lot 1, e ka fituar grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.
Lot 2: Grupi i kompanive me lider kompaninë “2A Group” SHPK & NNT “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.
Lot 3: Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.
Lot 4: Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.
Për këtë tender janë bërë dy auditme të brendshme. Ato kanë evidentuar parregullsi gjatë procesit. Njëri raport ka zbuluar se në dosje të tenderit janë vendosur kritere diskriminuese, ose favorizuese, ndërsa tjetri, pos evidentimit të kritereve të kundërligjshëm, ka gjetur se janë rekomanduar për kontratë kompanitë që nuk i kanë plotësuar kriteret që i ka vendosur vetë ministria. /Mentor Buzhala -Periskopi/