Koncerti “P’rrallë” rikthen në skenë kantautorin Bashkim Rodoni

Koncerti “P’rrallë” rikthen në skenë kantautorin Bashkim Rodoni
Koncerti “P’rrallë” nga kantautori Bashkim Rodoni vjen sonte në mbrëmje për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Një koncert, i cili premton të sjellë një atmosferë të bukur në këtë teatër, ku promovimi i albumit “P’rrallë” rikthen në skenë kantautorin Bashkim Rodoni. Ky album muzikor reflekton një punë krijuese disa vjeçare të kantautorit Bashkim Rodoni, i cili pas disa debutimeve të suksesshme më parë, ka qëndruar larg skenës së muzikës për të vazhduar angazhimet e tij në fushën e kinematografisë, ku ka pasur edhe disa bashkëpunime në krijimin e disa kolonave zanore në filma të ndryshëm.
Puna për realizimin e këtij albumi nisi me përzgjedhjen e këngëve nga krijimtaria e autorit Bashkim Rodoni gjatë një periudhe 6 vjeçare (2003-2009) dhe njëkohësisht me realizimin e teksteve shqip me Elvis Hoxhën. Më pas filloi bashkëpunimi me producentin muzikor dhe orkestruesin për albumin “P’rrallë”, koncert-mjeshtri i Filarmonisë së Kosovës, Visar Kuçi. Regjistrimi me vegla të gjalla i albumit, u realizua me punën profesionale të rreth 20 muzikantëve nga Kosova, ndër të cilët grupi kryesor me Visar Kuçi (violinë, kitarë, bass, fizarmonikë etj), Fatjon Miftari (piano, keyboard), Tomor Kuçi (kitarë), Teoman Ukqa (bateri, perkusion), u drejtuan nga mjeshtri Visar Kuçi. Regjistrimi, miksimi dhe masterizimi i albumit u bë bashkë me inxhinierin e zërit, Pëllumb Ballata në studion Homebasesound, në Prishtinë 2015-2016.
Që në fillim të punës ka qenë e qartë se kemi të bëjmë me një album muzike rrok, por sfida më e madhe qe përdorimi i gjuhës që e “rrok shqipen dhe e shqipton rrok-un”, në zgjedhjen e teksteve me dinjitetin e plotë poetik, si Migjeni, Camaj dhe Zejno. Për kurimin vizual të skenës në koncert ndihmuan Genti Shkurti dhe Heldi Pema. Albumi përmban 11 këngë, ndër to janë 10 me tekste shqip dhe një këngë me tekst anglisht. Një nga këngët shqip të albumit është ribërje e këngës së vjetër popullore “Po qysh kenka ba Dynjaja”. Tekstet Drekë Malcie, Pro-Lugu, Natë qytetëse, janë përpunime të përshtatura për këngë nga Drekë malësore, Martin Camaj, Amor Dheu, Krenar Zejno, Baladë qytetëse, Migjeni.

Shpërndaje në: