Komuniteti serb që refuzoi të regjistrohet, ‘faturën’ do ta paguajë vetë

Komuniteti serb që refuzoi të regjistrohet, ‘faturën’ do ta paguajë vetë

Pjesa më e e banorëve të komunitetit serb në katër komunat veriore, refuzoi t’i nënshtrohet procesit të regjistrimit të popullsisë.

Efektet nga mospjesëmarrja në këtë proces që llogaritet të jetë shumë i rëndësishëm pritet të vërehen në disa fusha.

“E para, duhet të kihet parasysh që buxheti për komunat ndahet edhe bazuar në numrin e popullatës, numri i asamblistëve nëpër komuna caktohet bazuar në numrin e popullatës. Pastaj investimet kapitale nga qendra, sidomos në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë ndahen në bazë të numrit të popullatës. Numri i popullatës si tërësi është qendror, sidomos të kategoria e grantit të përgjithshëm. Pastaj granti për çështje sociale e arsimore është formulë tjetër, mirëpo te granti i përgjithshëm ku komunat marrin më së shumti mjete, këto komuna që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë pritet që kushtimisht të varfërohen me buxhet.”, deklaroi Bekim Salihu nga Instituti GAP.

Sipas Bekim Salihut nga Instituti GAP, duke marrë parasysh statistikat e ASK-së që pritet të publikohen në korrik, ekzekutivi mundet që këto katër komuna t’i konsiderojë komuna me pak banorë.

“Për nga territori, Leposaviqi është komuna e dytë më e madhe, andaj Qeveria e Kosovës në një të ardhme mund ta ndjekë formulën që të nxjerrë buxhet ekstra për komunat e vogla e ku Leposaviqi si rezultat i një qasje destruktive, refuzuese e kundërshtuese që e ka ndjekë, nga një komunë e rëndësishme të kthehet në një komunë të parëndësishme”, shtoi tutje ai.

Se vetë banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut do ta paguajnë faturën e bojkotimit e thotë edhe njohësi i ekonomisë, Lavdim Hamidi.

“Të gjitha projeksionet janë bërë duke u bazuar në statistikat e regjistrimit të vitit 2011, mirëpo me këtë regjistrimin e fundit disa komuna kanë dalë me më shumti banor si Fushë Kosova dhe rrjedhimisht buxheti për të do të rritet, kurse komunat veriore do të dëmtohen financiarisht.”, tha Hamidi.

Sidoqoftë, bazuar në vlerësimin e popullsisë të vitit 2022, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në katër komunat veriore jetojnë afër 40 mijë banorë.

Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi, Lista Serbe kishte thënë se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. Serbët nuk morën pjesë as në regjistrimin e vitit 2011.

 

Shpërndaje në: