Komunat e VV-së e shohin si ‘normal’ doracakun për edukatë seksuale: Mundesh me marr nëpër duar, sen nuk është
Pesë komuna kanë dalë kundër Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12, duke vendosur për ndalimin e përdorimit të tyre në shkolla, pas reagimeve të shumta mbi përmbajten e tyre, që është cilësuar si abuzuese për fëmijët. Deri tash, një vendim të tillë e kanë marrë Komuna e Prishtinës, Skënderajt, Fushë Kosovës ajo e Vitisë dhe Vushtrria, shkruan Periskopi.
Këto komuna që udhëhiqen nga partitë opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë mobilizuar për të kundërshtuar doracakun që ishte promovuar nga ana e Arbërie Nagavcit, ministre e MASHTI-t.
Megjithatë, disa nga komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk po e shohin si jo të duhur doracakun. Komuna e Podujevës dhe ajo e Kamenicës nuk kanë marrë ende ndonjë vendim në lidhje me përdorimin ose jo të doracakut në shkolla.
Për drejtorin e Arsimit të Komunës së Kamenicës, Afrim Dervishi doracaku nuk është obligativ në shkolla pasi nuk hyn në materialet lëndore e as në kurrikulë.
”S’ka nevojë (me marr vendim për mosszbatim) se kurgjë nuk është. Doracakë është një tekst një material i cili bën me u marr nëpër duar, dorcakë. Nuk është vendim nuk është kurrikulë, nuk është material lëndor. Ajo s’ka qenë themelore në nivelin e zëvendësismit dhe reflektimit të notës, doracakë me marr nëpër duar, e sheh që të vyen e aplikon e mban, s’e sheh, s’e mban..pra në raport me këtë nuk duhet me as me marr vendim sepse ai nuk prodhon asnjë obligim nga dikujt që pastaj dikush me marr vendim ‘’jo nuk e aplikoj’, kaq e thjeshtë është kjo punë”, tha ai për Periskopin.
Dervishi derisa u pyet se a është përdorur ky doracakë në shkollat e Kamenicës, ai tha shkurt ‘’Jo’’.
Ndërsa, drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu tha se nuk kanë kompetenca që të marrin vendime kundër MASHTI-t.
‘’Ministria e Arsimit i ka dërguar në rishikim ato botimet, të cilat botime realisht i kanë dhënë dëshmitë e tyre që deri më tani nuk kanë qenë të zbatueshme e për komunën tonë, po bëhem shume korrekt ato kurrikulat që janë me fushë të ambientit as qato s’po i zbatojnë si duhet e leje më disa tjera që nuk i ka përdor kërkush te na në komunë të Podujevës’’.
Fetahu shtoi se janë në pritje të përgjigjes nga MASHTI, nëse ky institucion do ta lejojë përdorimin e doracakut apo jo.
‘’Kompetencat tona si drejtor komunal i Arsimit, nuk kanë mbrri të asaj natyre që me pezullu diçka që ka bo ministria. Aq më pak një dokument të një organizate. Ne jemi duke prit vendim përfundimtar nga ministria e Arsimit, qoftë t’i jap një rishikim apo ta anuloj krejt’’, përfundon Fetahu.
Ndryshe, koalicioni Lista “për Familjen” ka mbajtur konferencë për media në të cilën është kërkuar dorëheqja e ministres Arbërie Nagavci, pas publikimit të përmbajtjeve nga “Doracaku për Mësimdhënës për Edukim Gjithëpërfshirës Seksual.”
Në reagimin e tyre thuhet se Ministria e Arsimit, Shkencë, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka promovuar këtë doracak më 4 qershor 2021.
Tutje, theksohet se po ashtu në tetor të vitit 2023 MAShTI ka organizuar “Javën e promovimit të shëndetit në shkolla”, ku është folur për “Edukimi seksual gjithëpërfshirës në shkolla”./Z.R – PERISKOPI/