Komunat e Kosovës dhe ato arbëreshe nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Me qëllim të shkëmbimit të përvojave në ekonomi, art, kulturë, aktiviteteve edukativo-arsimore, institucione shkollore dhe shoqatave kulturo-artistike, gjatë ditës së sotme është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi nga komuna e Lipjanit dhe Fushë Kosovës me komunat Qivita dhe Frashineto të Italisë.
Kjo marrëveshje është iniciuar nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, me qëllim të bashkëpunimit komunal ndërkombëtar në mes dy komunave të Kosovës dhe këtyre dy komunave arbreshe, raporton KP.
Sekretarja e ministrisë Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Rozafë Ukëimeraj, tha se kjo marrëveshje do të sjellë më shumë mundësi për miqësinë, shkëmbimin e përvojave dhe fushave tjera me interes për vendin.
“Iniciativa për një bashkëpunim të tillë filloi disa vite më parë ndërkohë që jemi shumë të lumtur që ky bashkëpunim po kurorëzohet sot në prezencën e delegacioneve nga komunat e Italisë në një ditë shumë të veçantë në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Rëndësia e këtij bashkëpunimi në mes dy komunave në Itali dhe komunave të Kosovës shkon përtej një bashkëpunimi të rëndomtë sepse e karakterizohet nga një element shtesë që lidhë të dyja vendet. Edhe për shkak të vlerave të ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditës arbëreshe, e që për ne në Kosovë këto vlera rezervojnë një vend shumë të vlefshëm, sepse ato vlera ne i kultivojmë çdo ditë dhe i ruajmë e i garantojmë me aktet themeltare të shtetin tonë të ri”, ka thënë ajo.
Nga të dyja komunat në Kosovë, ajo tha se kanë përfunduar të gjitha veprimet ligjore, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi.
Kryetari i komunës së Frashinetos, Angela Capatona, tha kjo marrëveshje është në të mirë të shkëmbimit të përvojave kulturore, ndërsa u shpreh i lumtur se e njëjta po nënshkruhet pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës.
“Marrëveshja të cilët sot e nënshkruam, na jep një mundësi që të konkretizojmë aktivitetet e ndryshme kulturore po ashtu në ekonomi, të cilat do të jenë në të mirën e të dyjave vendeve. Na vjen shumë mirë që kjo ka rastisur në një ditë shumë të rëndësishme siç është dita e Pavarësisë. Pavarësia është një farë, është një gurthemel, për secilin shtet, e cila jep një mundësi që të zhvillohet vendi. Është një mundësi që iu jepet njerëzve që mendojnë për vend, që të arrijnë pikën më të lartë për secilin prej nesh, që është lumturia”, ka thënë ai.