Komuna që zgjodhi kanabisin për simbol të flamurit

Periskopi.com Lajme

Qytetarët e një komune të Estonisë kanë zgjedhur që gjethja e kanabisit të jetë simbol në flamurin e tyre të ri dhe në uniformën ushtarake.

Kanepi është një komunë në juglindje të Estonisë e cila u themelua në qershorin e vitit të kaluar nga një shkrirje e tri distrikteve, dhe si rezultat i ndryshimeve të këtij niveli lokal, qytetarët patën mundësi që të votojnë për një simbol të ri që ta përfaqësojë komunën, raporton BBC, përcjell KosovaPress.

“Kanep” është fjala në gjuhën estoneze për kanabisin.

Ky simbol mori 12 mijë vota nga gjithsej 15 mijë pjesëmarrës në këtë votim. Andrus Seeme, kryetar i komunës, tha se do ta respektojë vullnetin e qytetarëve shumicë.

Kanabisi është ilegal në Estoni, megjithatë, zyrtarë qeveritarë thanë se askush nuk mund t’u pengojë autoriteteve lokale që të përdorin simbolin e kanabisit nëse ata dëshirojnë.