Komuna e Prishtinës kërkon rrënimin e ish-objektit të “Gërmisë” për sallën koncertale
Rrënimi i ish-objektit të “Gërmisë” e aty të ndërtohet prej themelit salla koncertale, është opsioni që ka dalë nga Komuna e Prishtinës.
Ani pse deri tash nuk është thënë zyrtarisht, nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, ka deklaruar se një kërkesë e tillë u është bërë përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, së cilës i është kërkuar që fillimisht të revokohet vendimi me të cilin ky objekt në tetor të vitit të kaluar u shpall monument.
Ish-“Gërmia” u fut në Listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme kur debati nëse ky objekt duhej të ruhej apo të rrënohej ishte në kulm. Lista ka afat njëvjeçar. Që të nxirret nga Lista, tash për tash është e pamundur pasi fjalën vendimtare duhet ta japë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore që si organ nuk është funksional prej korrikut të vitit të kaluar.
Një takim i të gjitha palëve në lidhje me këtë çështje është mbajtur para një muaji.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se në atë takim ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Zyrës së kryeministrit, Ministrisë së Kulturës, dhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë është diskutuar rreth mundësisë së gjetjes së një kompromisi për heqjen e ndërtesës nga Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme.
“Ne, pra Komuna, konsiderojmë se ky objekt, pra ‘Gërmia’, nuk posedon asnjë kriter apo standard për t’u futur nën mbrojtje si monument. Si vlerë e vetme janë specifikuar elevatorët dhe fasada e jashtme, e cila tanimë është dëmtuar vite më parë, kur është prerë në disa pjesë për të hapur ‘dritare’”, ka thënë Pacolli. Sipas tij, në fund të takimit palët janë dakorduar që përfaqësuesit e Qeverisë të bisedojnë me Ministrinë e Kulturës për t’i dhënë epilog kësaj çështjeje. Sipas tij, nëse nuk arrihet një marrëveshje më shpejt rrezikohet humbja e grantit prej mbi 15 milionë euro për sallën koncertale.
“Po, gjithsesi”, i është përgjigjur ai pyetjes së gazetës nëse ndërtesa aktuale duhet të rrënohet.
Sipas Pacollit, Komuna është duke shikuar mundësinë që në atë hapësirë krahas sallës koncertale të ndërtohet edhe shkolla e re e muzikës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është duke pritur nga institucionet e Kosovës që të gjejnë një hapësirë për ndërtimin e sallës koncertale.