Komuna e Prishtinës i reagon kompanisë “Pastrimi”: Nuk do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike

Komuna e Prishtinës i reagon kompanisë “Pastrimi”: Nuk do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike

Punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë protestuar para Komunës së Prishtinës, duke kërkuar ndaljen largimin e rregullores ku thuhet se Komuna do të angazhojë kompani të tjera që të i ndihmojnë kompanisë regjionale Pastrimi’ në rast të vështirësive kur paraqiten gjatë operimit.

Ndaj kësaj proteste ka reaguar Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media ku thotë se ”Nuk do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike”

Reagimi i plotë:

Nuk do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike!

Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbeten pa punë, dhe qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbeten pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.

Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë “Pastrimi” për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kemi angazhuar  operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët.

Angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontenierë të rinj kanë përmirësuar dukshëm menaxhimin e mbeturinave.

Pavarësisht këtyre përmirësimeve, asamblistët opozitarë po bëjnë përpjekje për të ndryshuar rregulloren që do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë.

Një vendim i tillë do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në Kryeqytet.

Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik.

Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë “Pastrimi” dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen!

Shpërndaje në: