Komshiu N., falimentimi i Postës dhe LDK-ja
Ndërkohë që në vend vetëvrasjet po rriten, krahas me falimentimin e Telekomit dhe flirtin e LDK-së me pushtetin, më sillet ndërmend komshiu ynë andej-muri N. Pos që nga përvoja personale e pazarit me të vëllain e tij në verën e tendosur të vitit 2000 kishim dalur humbës të mëdhenj, ani pse ishim refugjatë nga veriu, ajo që zgjon interesim këtu është trajektorja e ndryshimit në kohë, e komshiut N. Si njeri dhe si qëndrim politik. Për aq sa mund të quhet ndryshim.
Komshiu ynë N., ka qenë i burgosur politik në ‘81-n. Nga burime të dorës së dytë më vonë kemi kuptuar të ketë qenë gjashtë herë i operuar në kokë; vëllai i vet, njeriu me të cilin bëmë pazarin, vite më pas na pyeste në rrugë se mos kemi gjë të keqe nga “ai vllai”. Por këto kanë pak rëndësi këtu. Komshiu N., ishte tip interesant. Nuk punonte, dhe as nuk e fshehte që nuk donte të punonte. “Kum punu une boll”, thoshte komshiu N., teksa mimika e tij të linte të kuptoje se me gjasë dikush qenka borxhli ndaj tij.
Më se gjysmë dekade pas 2000-s, nuk kishte krah politik me të cilin pajtohej N-i. i shante të gjithë. Muharrem Shabani ish kryetari i KK të Vushtrrisë ishte përgjegjës që si gjykatës në të ‘80-at, kishte dënuar shqiptarë, kurse Sami Lushtaku që si nip i komshiut N (jo bash nip, por me kute të shqiptarit mjafton ta kesh dikë farefis që të mbjellësh pritshmëri), as që kthente kokë prapa për të pyetur për “hallin e dajës N”.
Kur vegoi në mos gabovsha 2006-a, ndodhi të ishin mu këta dy njerëz që do të ndikonin në punësimin e dy djemve të tij. Të madhit në ‘Llamkos’, falë Muharrem Shabanit, kurse të dytit në Postë, falë Sami Lushtakut. Që të dy me shkolla të mesme mezi të mbaruara (madje njhëherë do të qëlloja dëshmitar kur i madhi nuk e dinte ç’është kryerreshti). Megjithëse ‘Llamkosi’ asnjëherë s’ruajti qëndrueshmëri në prodhim teksa i ndërroheshin varg-e-vijë investitorët, dhe në fund djali i madh mbeti pa punë, i dyti ngeli në Postë përgjatë tërë kohës. Me ironi e vetëpranim të vetë djalit, qeshnim se si në postë nuk gjende(shi)n mjaftueshëm karrige për një mal punëtoresh, të afërm, të afërt a militantë të PDK-së e LDK-së që po punësoheshin aty si një turmë që mësyen deren e autobusit.
Natyrisht tashmë edhe qeshja e komshiut N., ishte paksa më ndryshe dhe jo vetëm ironike a sarkastike. Edhe kur ishte e tillë s’ishte më me veten a hallin e familjes. Madje mund të them se disi ngjante në njëfarë ngazëllimi a galdimi, shoqëruar me ndonjë batute nga opusi i gjerë drenicas, se si duhet t’ia dalësh në jetë. Skaje politike si Muharrem Shabani e Sami Lushtaku, që dikur s’binin nga goja e komshiut N., për të keq, tanimë pajtoheshin në diskursin e tij të ri. Muharremi e Samiu, dolën të fjalës. Jo pse ishin a janë të tillë, por pse relata meskine e punësimit të djemve tek komshiu po sillte ndryshimet: diskursi i ri po lindte nga eskursi prej diskursit të vjetër. Të dy punësimet patën përkuar me fillet e Lëvizjet e Vetëvendosje, pra aty rreth 2006/7-s, aktiviteti dhe qëndrimet e së cilës do të përcilleshin nga një heshtje e plotë e komshiut N., ani pse me liderin e kësaj lëvizjeje ndante fat prej ish të burgosuri politik, dhe ani pse deri para pak muajsh shpërfaqte bindje të ngjashme, në mos të njejta politike. Nisi të mos e përmendte më as Ali Jonuzin për të cilin kishte vetëm fjalë miradije e fascinimi.
Dy cytjet e rradhës së komshiut N., ishin përpjekja për të siguruar ndonjë ndihmë sociale për gruan e vet, që gjithnjë sipas të dyve, “i ka llagerat e granatës n’trup”, si dhe zgjerimi këndej tarabave, d.t.th kah oborri ynë. Nuk di ta kenë arritur të parën, por për përpjekjen e dytë, komshiu N. që nga dita e parë e ardhjes tonë këtu po përgadiste terrenin. Megjithëse ardhjen tonë ditën e parë e kishte pritur me patriotizëm fjalëmadh “spo m’vjen shkau por po m’vjen vllau”, komshiu N., me kohë do të përpiqej vazhdimisht – disi tërthorazi – që dorëheqjen nga një pjesë e oborrit tonë, ta justifikojë me nevojën e pasjes së një garazhde për kohën kur do të blenin veturë. Familja, puna e prona po diktonin aktivitetin e komshiut N., si ekstrapolueset më të mira jo vetëm të pamundësisë për ndryshim shoqëror (a bërje shoqëri!?) por edhe si shembujt potencial të armiqësimit në kushte të mosekzistimit të relacioneve moderne sociale.
Pasurimi prej mikroborgjezi (për mua ky denominim s’ka humbur fare peshë e as kuptim), i komshiut N., megjithëse nuk kënaqi në tërësi cytjet e tij vjedhacake (ndërpremë relatat më 2014 pa ia dalur të na marrë oborr) sot njeh pasuri prej një shtëpie trekatëshe (kati i tretë në fakt është hapësirë nënkulmi ku shqiptari zakonisht “i nxjerr edhe nja dy dhoma”), kurse e jona ka ngelur ajo e ditës së parë, me pak ndryshime kozmetike. Shtëpia e re është aq e madhe saqë ka zënë tërë oborrin, për ta mbuluar jo vetëm shtëpinë e vjetër ku komshiu N., me familjen e tij çoi dekada, por edhe për t’ia zënë diellin shtëpisë sonë. Kështu adminsitroi me jetën komshiu ynë, deri para lajmit për falimentimin e Telekomit, e që i bie se tash djali i dytë do ngelet (të paktën për një kohë) pa punë. Lajm që mbarson lajmin tjetër: nisja e maratonës për përçapje të re duke qenë prap: o afërm, o i afërt, o servil. Odiseadë kjo e amshueshme e këtij vendi.
Dhe në fakt a nuk është e tërë maratona kosovare para dhe post-pavarësi një martesë mes adminstrimit si shpërfaqje e konjukturave të nduarnduarshme politike dhe gjindshmërisë si strategji e përvjedhjes sociale dhe e vazhdimit të (mbi)jetesës së mesatarit në këtë vend? Krejt kjo e varur nga nënshtrati i lartcekur i diktimit të aktivitetit njerëzor nga familja, prona dhe puna? Mendoj se po. LDK-ja është shembulli më i mirë për këtë që sapo thash. Kjo parti sot opozitare, e ruan, dhe herë-herë me krenari edhe e mbron këtë nënshtrat. Ku dhe si vërehet kjo? Shumë e thjeshtë: në hendekun dhe skizofreninë mes të folurit dhe të vepruarit të kësaj partie.
Nuk është fare e rastësishme që edhe kur ngjajnë falimentime të tagrit ku LDK mund të mos ketë pasur shumë dorë a përgjegjësi; edhe kur partia më e madhe opozitare përçahet e që logjikisht kjo do të duhej të afektonte kalibrinin e opozitarizmit të partisë së dytë opozitare; edhe kur përballë vetes ka një kabinet qveritar që s’di të shkuajë; edhe kur politika e brendshme/jashtme skandalizohet nga të ngjara si Gjuriq e gylenistët – LDK-ja nuk ndikohet, por vazhdon të na e bëjë me dije se është e vendosur t’ia zgjasë jetën sundimit të komandantëve. I rehatohen njerëzit në borde, koalicionet në Pejë.
Flet për dështim, e do administrim. Jo politikë a drejtim, por njëfarë lëshuarje rendi për politikbërje. Kjo meqë përjetimi i pushtetit tek ta nuk nënkupton nevojë për ndryshueshmëri, por pritje për nduarduardshmëri. Pritje për të ardhur në radhë. “Presim edhe pak e ecin këta, pastaj vijmë ne”, teksa në relacion me VV-në ruan njëfarë relate piemonteske: nuk u bëka që LDK ta pranojë Kurtin për kryeministër! Por bëka Haradinajn që më 2004, krahas me bërjen e Hashim Thaçit gjithë çka i ka dashur zemra!
Komshiu N., nuk duket gjëkundi qe dy ditë. Kjo mbase nga fakti se rokada e nënshtratit familje-punë-pronë afekton moralin domestik, mëhallën e fqinjësinë më shumë se sa publiken, opozitarizmin e parlamanetin. Kësodore, rokada e tillë, në mëhallë e qytezë nënkuptohet. N., nuk del se i ka mbetur djali pa punë. Dhe qyteza është krejt e pashpresë ta ndrrojë këtë gravitacion. Por pafytyrësia nis ateherë kur nis avokimi publik dhe i deleguar i këtij nënshtrati. Kjo sepse lihet të kuptohet që përfaqësimi politik në vend është në shërbim të konfirmimit inherent të kësaj stukturore. Ndaj edhe çuditërisht, këta të N.-së nuk po i shoh por, LDK-në po vazhdoj ta shoh.