Komplikohet projekti për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit, Ministria bëhet gati të marr një vendim dëmshëm
Njëra prej aferave shumë të mëdha të korrupsionit, tenderi “Ndërtimi i Autoudhës A7.1”, i njohur ndryshe si “Autostrada e Gjilanit” po futet në një rrugë pa krye. Kontraktuesi i punimeve, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapesinor dhe Infrastrukturës -MMPHI është pozicionuar që të vazhdojë më dallavere deri në fund, shkruan Periskopi.
Tre zyrtarë të ministrisë dhe ish sekretari tashmë janë duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të pozitës kur kanë lidhur kontratat për këtë projekt.
Derisa një gjykim është duke ndodhur për këtë rast, Periskopi ka mësuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur një hetim të ri para pak muajve nën dyshimet se janë bërë pagesa për kompanitë pa u kryer punët. Pra, dyshimet janë se janë faturuar stacione të ndryshme të cilat akoma nuk janë punuar.
Në krejt këtë proces, Ministria që drejtohet nga Librun Aliu është pozicionuar për t’ua bërë edhe një favor kompanive në dëm të buxhetit të shtetit.
Para pak ditëve, ministria ka formuar një komision për të bërë pranimin teknik të pjesshëm të këtij projekt. Dyshimet janë se pas pranimit të punëve, kompanitë do të mund të tërheqin 10 për qind të garancionit bankar të totalit të vlerës së kontratës që e kanë venë si garant për këtë projekt dhe më pas mund të braktisin punimet.
“Ministria ka kryer rreth 80 për qind të pagesave, ndërsa punët janë kryer rreth 40 për qind. Më së shumti është punuar në lot 1, në të tjerat pak. Pas pranimit teknik të punëve, kompanitë mund të tërheqin dhe mjetet që i kanë të bllokuara dhe të ikin nga ky projekt. Ato i kanë shpenzuar paratë që ua ka dhënë ministria dhe për të përfunduar projektin duhet të futën në kredi. Nëse bëhet ky pranim i pjesshëm i projektit siç po pretendon ministria, kompanitë do të tërheqin paratë dhe më pas do të krijohet një alibi gjoja që është shtrenjtuar materiali ndërtimorë, dhe do të shputën të gjitha kontratat”, ka thënë një burim brenda ministrisë për Periskopin.
Në javën e kaluar Periskopi ka adresuar këto pyetje në MI.
“Sa është vlera totale e këtij projekti, pasi në vazhdimësi ka pasur aneks kontrata? Sa është totali i pagesave që është bërë deri më tani për këtë projektet? Sa përqind e punëve janë kryer deri më tani? Kemi mësuar se është formuar një komision për pranimin teknik të pjesshëm të këtij projekt. A mund të na tregoni bazën ligjore të këtij pranimi të pjesshëm, pasi në terën punët shihen që janë larg realizmit?”.
Ministria nuk është përgjigjur në asnjërën pyetje deri në publikimin e artikullit.
Sipas legjislacionit në fuqi, kontraktuesi duhet të paguhet në bazë të sasisë së kryer të punëve, sipas pozicionit në paramasë dhe parallogari ose në bazë të përqindjes së aktivitetit të kryer.
Bazuar në kontratat e lidhura, projekti është dashur të kryhet që në vitin e kaluar.
Në vitin 2018 për këtë projekt janë lidhur 8 kontrata në një vlerë prej 88, 618, 511.95 euro. Por, menjëherë pas disa muajve ministria kishte filluar të lidhë ankesë kontrata për punët shtesë. Këso lloje të kontratave për punët shtesë janë lidhur deri para pakë muajve. Shuma e aneks kontratave është 7.2 milionë euro dhe bazuar në ueb-faqen e prokurimit publik, pos në lot 3 për të gjitha pjesët ekzistojnë nga dy kontrata. Bilë në lot 7 ku e kishte fituar “Al Trade” & “Salillari” në një shumë prej 7, 247, 086. 87 euro, janë lidhur plus dy ankesë kontrata tjera, njëra më këtë konzercumë në vitin 2019 një vlerë prej 372.660,42 euro dhe një kontratë në mars të këtij viti më kompanitë “Bau Holding” në vlerë prej 137. 840,81 euro. Kjo kompani nuk ka të bëjë asgjë më këtë projekt, dhe ky është një rast që do një trajtim të posaçëm ligjorë.
Pas lidhjeve të kontratave fillestare, Prokura Speciale kishte nisur hetimet ndaj ish Sekretarit të MI, Betim Reçica, dhe zyrtarëve të ministrisë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.
Hetimi i prokurorisë kishte rezultuar më ngritje të aktakuzës nën dyshimin për korrupsione ndaj katër zyrtarëve, dhe tashmë gjykimi ndaj tyre është në proces e sipër. /Periskopi/