Kompania mirëmbajtëse flet sesi uebfaqja e KQZ-së pati probleme
![Kompania mirëmbajtëse flet sesi uebfaqja e KQZ-së pati probleme](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/errr-600x360-1-500x300.png)
CACTTUS, kompania që zhvilloi aplikacionin për Komisionin Qendror Zgjedhor, ka treguar arsyet për problemet që u shfaqën në faqe gjatë të dielës në ditën e zgjedhjeve.
CACTTUS ka thënë se sfidat lindën nga vëllimi i paprecedentë në trafikun në faqen e internetit të KQZ-së, që kishte mbingarkuar konfigurimin ekzistues të aplikacionit “CloudFlare”.
“Ky moskonfigurim adekuat i aplikacionit CloudFlare (aplikimi dhe menaxhimi i të cilit është në përgjegjësi të ASHI/KQZ-së, dhe nuk është dhe nuk ka qenë në përgjegjësi e as në kompetencë të CACTTUS sh.a.) rezultoi në një bllokadë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të aplikacionit tonë”, tha CACTTUS.
Po ashtu u tha se faqja e internetit të KQZ-së, së bashku me infrastrukturën tjetër qeveritare, kanë qenë shënjestër e sulmeve të vazhdueshme kibernetike si gjatë ditës së zgjedhjes po ashtu edhe sot.
“Ne gjithashtu dëshirojmë të theksojmë faktin se faqja e internetit të KQZ-së, së bashku me infrastrukturën tjetër qeveritare, ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike të vazhdueshme, si gjatë ditës së zgjedhjeve, poashtu duke vazhduar edhe sot. Sipas analizës së ekspertëve tonë (në foto), këto sulme përfshijnë sulme DdoS (Distributed Denial Of Service Attack). Ky lloj sulmesh (DDoS) është një lloj sulmi kibernetik që synon të ndërpresë trafikun normal të internet serverit, shërbimit ose rrjetit të synuar (në këtë rast të KQZ-së dhe ASHI) duke e mbingarkuar atë me një vërshim të trafikut të internetit. Në thelb, është si një bllokim i madh trafiku në një autostradë digjitale, duke penguar përdoruesit legjitimë të arrijnë në destinacionin e tyre. Ndërsa vetë aplikacioni i votimit mbeti i sigurt dhe funksional, këto sulme kanë paraqitur një sfidë shtesë për ruajtjen e disponueshmërisë së vazhdueshme të faqes së internetit. Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Komisionin Zgjedhor të Kosovës, organet e drejtësisë dhe agjencitë qeveritare përkatëse për të zbutur këto sulme dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit”, tha CACTTUS.