Komisioni për Persona të Zhdukur: 13 viktima të identifikuara nga 9 lokacione gjatë gërmimeve në 2024
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka theksuar se vitin që lamë pas është përballur me sfida të mëdha, përfshirë mungesën e informacionit të besueshëm dhe politizimin e procesit nga institucionet e Serbisë.
Megjithatë, sipas tyre, bashkëpunimi i pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare dhe partnerët ndërkombëtarë ka sjellë rezultate pozitive në drejtim të drejtësisë dhe të vërtetës.
Gjatë vitit, nga ana e tyre thuhet se janë realizuar 33 operacione fushore, duke përfshirë gërmime në 23 lokacione brenda Kosovës, ku janë zbuluar mbetje mortore të 13 individëve.
“Nga 23 lokacionet në fjalë, vetëm 9 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore. Sipas ekspertëve mjekoligjor nga këto lokacione janë zhvarrosur 13 individë (megjithatë kjo e dhënë mund të konfirmohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme të ekzaminimit mjekoligjor përfshirë edhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së)”, thuhet nga ky komision për Dukagjinin.
Në lidhje me lokacionet në Serbi, përkundër dakordimeve, thuhet se nuk ka pasur përparim në gërmime.
Takimet e Grupit Punues për Persona të Zhdukur, organizuar me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), kanë mundësuar adresimin e kërkesave për përparim në procesin e identifikimit dhe ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Përveç angazhimeve lokale, gjatë vitit është intensifikuar bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat për mbështetje teknologjike dhe shkencore, përfshirë përdorimin e teknologjisë LiDAR dhe Radarit Depërtues Tokësor (RDT) për gjetjen e trupave.
Në procesin e identifikimit, janë realizuar 124 raporte nga analiza shkencore e ADN-së, duke sjellë 38 identifikime të reja të viktimave.
Po ashtu, 25 mbetje mortore janë dorëzuar për rivarrim, duke respektuar të drejtat e familjeve për të ditur fatin e të dashurve të tyre.
Në përpjekjet për të përparuar çështjen e personave të zhdukur, Komisioni ka kërkuar mbështetje të mëtejshme nga Bashkimi Evropian dhe ka vazhduar të angazhohet në nivel ndërkombëtar për krijimin e një Komisioni të Përbashkët për Persona të Zhdukur.