Koment nga Periskopi për ‘shitblerjen’ e temave të diplomës: Pse duhet të ekzistojë UP-ja
Në një hulumtim të bërë nga gazeta Preportr [që funksionon brenda Organizatës Çohu], u evidentua ajo që tash e një kohë të gjatë dihej dhe flitej në hapësira private: shumë studentë diplomojnë me anë të temave të diplomës të cilat blihen nga njerëz të ndryshëm.
Hulumtimi zbuloi poashtu që shkaku i dobësisë së Universitetit më serioz në vend, është formuar një tip tregu informal e kriminal, siç është ky i shitblerjes së diplomave. E kjo, mund të shihet si vetëm njëra nga pasojat e shumta serioze që shkakton kjo dobësi. Ta zëmë, UP-ja e përgatitë stafin e mësimdhënësve për shkollat e Kosovës – të cilët prodhojnë edhe më shumë padituri. UP-ja e dëmton edhe ekonominë e vendit, përmes ofrimit të kuadrove joprofesionale e të pakualifikuara, të cilat hidhen në tregun e punës, por duke mos e ndihmuar atë. Shumë kompani të mëdha, janë ankuar në vazhdimësi se kishin probleme në gjetjen e kuadrove për kompanitë e tyre. Universiteti i Prishtinës, në fakt, është përgjegjës për shumicën e vendeve në sistemin tonë prodhues. Duke përfshirë këtu edhe dijen. Dhe, vetëm nga ky fakt kuptojmë se sa shumë ‘mashtrues’ do të kemi që futen pameritueshëm në mekanizmat dijeprodhuese, e në të tjera.
Por, t’i kthehemi sërish temave të diplomave. Instituti Edguard, kishte bërë një pyetësor ku kishte rezultuar nga përgjigjjet e vetë studentëve se, 80% prej tyre kishin qenë të përfshirë në shitblerjen e temave në fjalë.
Kjo shifër aq e lartë e delegjitimon në tërësi punën e këtij institucioni. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: pse duhet të ekzistojë Universiteti i Prishtinës, kur shumica e studentëve nuk dinë të shkruajnë një temë diplome? Por, të mos ndalemi te studentët. Pyetja duhet të zgjerohet më tej: pse duhet të ekzistojë Universiteti i Prishtinës, meqë profesorët nuk arrijnë të kontrollojnë punën akademike të studentëve, dhe për rrjedhojë as të gjejnë plagjiaturat, ose mospërkimet mes dijeve të studentëve me temat që kanë zgjedhur? Kjo e vë seriozisht në pikëpyetjen arsyen e ekzistimit të këtij institucioni.
Përtej temave të diplomës, në Universitetin e Prishtinës e kemi poashtu edhe dukurinë e përhapur të kopjimeve në provime. Të dyja këto dukuri, të përhapura e të evidentuara, tregojnë më shumë për profesorët sesa për studentët. Është e vërtetë që studentët e kryejnë kopjimin, ose mashtrimin me anë të temave të diplomës – por këto dukuri nxitjen dhe frymëzimin e gjejnë në paaftësinë e plotë të vetë profesorëve. Shumë e thjeshtë: nuk do të ndodhte, nëse profesorët do t’i gjenin mashtrimet dhe do t’i ndëshkonin ato. Nuk do të ndodhte, nëse studentët nuk do të përfitonin nga një gjë e tillë.
Marrëdhënja kolegiale e profesionale mes studentëve dhe profesorëve mungon. Si shkak i kësaj mungese, komunikimi mes tyre është i çalë, dhe ndodh që profesorët të mos i njohin njohuritë e as progresin që e arrijnë studentët. Kjo bën pastaj që profesorët të vlerësojnë me notë kaluese në provime të rreme, dhe të mentorojnë e aprovojnë tema të diplomës që nuk i shkruajnë vetë studentët. Por, hulumtimi i Preportr, tregon edhe për një gjë tjetër shqetësuese: temat e gatshme. Imagjinoni përmasën e një kopjimi masiv në provime. Profesori duhet të jetë në themel i padijshëm e i papërgatitur që t’i vlerësojë me notë kaluese, provimet që përmbajnë të njëjtat përgjigjje në disa raste. E po njëjtë, të lexojnë në vazhdimësi të njëjtat fjalë, të njëjtat koncepte, dhjetëra herë – e kështu, të aprovojnë ato tema diplomash.
Mosreagimi i shoqërisë sonë ndaj një gjëje të tillë, është më simptomatike se vetë gjëja. Fakti që një gjë e tillë ndodh kaq masivisht, papengueshëm nga asnjëri, lë të kuptohet se kemi një interes të madh shoqëror që një gjë e tillë të vazhdojë. Pra, vetë shoqëria është e interesuar që institucionet e saj të dijes të mos jenë njëmend institucione të dijes. Nuk dëshiron profesorë të vërtetë e të përgatitur. Nuk dëshiron që gjërat të shkojnë mbarë.
Por kjo gjë do të shtojë problemet dhe aktivitetet kriminale. Prandaj, është e domosdoshme që në Universitetin e Prishtinës të kemi një ndërhyrje të mirëmenduar politike – që do të ndalte mënyrën sesi po rrjedhin gjërat.