Kombi që po bëhet gjithnjë e më i drejtë

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, viziton sot Republikën e Kosovës. Në dynjanë tonë të internetit, nëpër mediume e nëpër kolumne, ky njeri po shahet nga i madh e i vogël. Nuk kemi viza, po na bën presion për taksën, e kështu me radhë.
Gjatë kohës sa po bëhej luftë në Kosovë – mes një grupi të çorganizuar burrash që s’e duronin më dajakun dhe mes një shteti që s’e duronte mosdurimin e dajakut – u organizua një konferencë për ndaljen e luftës në Rambouillet. Njerëzit e kishin tabiat që kur lodheshin së luftuari, ta bënin nga një konferencë ku do të uleshin e do t’i masnin forcat. Serbia, shteti që s’e duronte mosdurimin, nuk e pranoi marrëveshjen. Po i ndërhyhej në sovranitet. Po copëtohej ai vend qiellor. E kështu me radhë. Kosovarët – burrat që s’e duronin më dajakun – e pranuan edhe pse ishin kundër. S’kishin koqe të luftonin më gjatë. S’ua merrte mendja se mund ta mposhtnin një shtet me ushtri të fuqishme.
Kësisoji, në këtë dynja që me mijëra vjet drejtësinë e bën përmes takatit, forcës, burrat e rrahur kërkuan shpëtim nga dhuna përmes forcës së tjetërkujt. Taktikë e mençur!
Por, ku kishte nisur kjo ide e mbrapsht që thoshte se mund të kishe të drejtë edhe nëse s’kishe pikë takati? Te një filozof grek me emrin Sokrat. Një tjetër filozof, sofist, e thoshte pa të keqe se drejtësi ishte veç ajo gjë që i leverdiste të fortit. Dhe historia nuk lodhet së përsërituri, vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli, e milenium pas mileniumi, po të njëjtën gjë: që vetëm fjala e të fortit vlen. Perandori e shtete të shkatërruara, miliarda njerëz të mirë që mbetën anonimë, dhimbje e vuajtje pafund mbetën kusuri gjithnjë i pakthyer i djallit.
Një personazh libri me emrin Ivan e mbiemrin Karamazov, kallëzonte për dhimbjet e fëmijëve të pafaj, dhimbje që edhe po të ekzistonte zoti e t’i shpaguante, kjo sërish s’do të kishte pikë kuptimi.
Bukur!
Më vonë, ndodhi ajo që ndodhi në vendin e njerëzve që hanin dajak. Këta u bënë të fortë dhe i punësuan të gjithë të afërmit. E dinin mirë se drejtësia ‘e pastër’ ishte e rreme, e prandaj s’iu hante palla për gjindjen jashtë, për të dobëtit, që i shkelnin pa pikë dhimbje. Biles, kjo dhimbje u ligjërua edhe nga ata që thonë se janë pa pushtet, por që i marrin kah 1 mijë euro e kusur në muaj. Opozitë i thonë. Ose, shoqëri civile. E të tjera, e të tjera.
Por, takati i këtyre njerëzve pushtues është i fortë veç brenda këtij një-trohë-vendi. Qe shtatë vjet qytetarët mbetën të izoluar. Si ta kishim ndonjë sëmundje ngjitëse. Por, mos e kishin përnjëmend një të tillë? Ah, po, sëmundja e shoqërisë ishte të rrinte badihava e të shante kënd të mundte. Të përgojonte të madh e të vogël. Kaq takat kishte një i dobët. E i pakualifikuar. Lufta i la edhe me trauma. S’ishin në terezi. S’donin të mësonin ndonjë zanat, apo të bëheshin të mirë në ndonjë gjë. Shihnin televizorin, lajmet, politikën dhe e njihnin me emër e mbiemër madje edhe çdo ministër. Ishin aq thellë të futur brenda atyre llafeve, Facebook-ut, televizorit, sa mbetën krejt të çintegruar brenda shoqërisë së tyre. S’ishin as shoqëri bre, ta hajë dreqi. I madh e i vogël donte të ikte prej vendit të tij si prej dreqit. Ama, ky jo-tamam shtet ishte bërë si kamp përqendrimi për disa. Të fortët iu thonin: Ka punë, por ju nuk punoni! Njësoj iu thonin edhe kapot dhe ushtarët nazistë hebrejëve: një punëtor i rëndomtë kryen punë 5 herë më shumë se ju! Përjetimi i varfërisë ishte bërë më i rëndë. Askujt s’i dilnin boll treqind euro në muaj. Veç kësaj, gërditeshin kur shihnin njerëz që përparonin, mashtronin, e çka s’bënin për t’u ngjitur në degë më të larta si të ishin majmunë. Romanticistë të pandreqshëm!
Njerëzit si Hahni [më shumë ide e përllogaritje se njerëz] në atë bashkim të stërmadh shtetesh, i shihnin këta njerëz si të padobishëm. Do të mbesnin të çintegruar. S’kishin pare veç sa për turizëm. Po, kishin të drejtë të lëviznin të lirë – madje ekzistonte edhe një konventë që e thoshte atë gjë – por në mut konventat.
Punët që mund t’i bënin njerëzit e kësaj shoqërie, mund t’i bënin fare lehtë emigrantët e tjerë. Sirianët, tunizianët, libianët, nigerianët e të tjerë. S’i duheshin kurrkujt.
Dhe përnjëherë, të fortit e këtij vendi bënë diçka të çuditshme. E vendosën një taksë të quajtur 100%, e që ishte kundër produkteve të importuara nga Serbia. Përnjëherësh, ky një-trohë-vendi e mësoi rrugën e mosbindjes. Në horizontin e këtij vendi qarkullojnë ide të tjera tash: çka nëse do ta shpallnin pavarësinë edhe më njëanëshëm, pa Pakon e Ahtisaarit? Ndoshta do të na njihte dikush. Ama, do të faktorizoheshin. U mësua rruga e faktorizimit. Çka nëse nuk binden pa kushte më? Po, iu ndihmuan e i shpëtuan nga dhuna, por kishin interesa. Gjeostrategjike. Çkado.
Kosova e gjen veten në vitin e dhjetë të shtetësisë si më pak pro-amerikane dhe biles edhe si euroskeptike. Kjo do të gjenerojë forma angazhimi tjetërqysh. Ide më përmbajtësore. Protesta. Luftë më të ashpër për pushtet. Dhe mirëqenie pak më të mirë. Si loja që kërkon rregulla loje, edhe lufta kërkon rregulla lufte. Dhe pa luftë, më në fund u mësua që, shkohet veç drejt mutit dhe shpërbërjes. Ankimi i kotë, jostrategjik, u bë bajat. Bile bile, u bë shtypës në vetvete.
Lufta ndërton kombe! Dhe sjell drejtësi!