Komandanti i KFOR-it: Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, thelbësor e domosdoshmëri politike
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Oezkan Ulutash, ka thënë se vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi mbetet thelbësor dhe se është i mundur, por që sipas tij, kërkon guxim dhe përkushtim nga të dyja palët.
Kështu është shprehur ai nga selia e NATO-s në Bruksel, gjatë fjalimit të tij për përmbylljen e mandatit si komandant i KFOR-it.
Ulutash ka thënë se dialogu nuk është thjeshtë domosdoshmëri politike.
“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjitha komunitetet në Kosovë ndajnë shpresën e përbashkët për të ardhme paqësore dhe të begatë. Tensionet ende ziejnë dhe mosbesimi midis komuniteteve pengon përparimin. Dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vazhdon të përballet me pengesa. Në këtë drejtim, NATO-ja dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve në pritje. Mbetem optimist se – me durim, këmbëngulje dhe qëndrim konstruktiv nga të gjitha anët – këto pengesa mund të kapërcehen”, ka shtuar ai.
Ai tutje ka bërë thirrje për komunitetet në Kosovë që t’i vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim.
“Kjo përvojë më ka thelluar të kuptuarit se sa kritike janë bashkëpunimi dhe besimi për ruajtjen e paqes në mjedise komplekse. I bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Vazhdimi i dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet thelbësor dhe besoj fort se është e mundur. Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët. Ky dialog nuk është thjesht një domosdoshmëri politike, por edhe morale për hir të brezave të ardhshëm”, ka shtuar ai.
Komandanti i misionit të Aleancës Veriatlantike në Kosovë tutje ka thënë se kanë parandaluar rreziqe për krijim të situatave që mund të çonin në incidente apo përshkallëzim. /koha