Komandanti i FSK-së: Synojmë të bëhemi pjesë e NATO-s

Periskopi.com Lajme

Në kazermën “Skënderbeu” të FSK-së në Ferizaj, u zhvillua sot ceremonia e ndërrimit të komandës së Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), me ç’rast komandanti i deritanishëm, gjeneral brigade Enver Cikaqi ia dorëzoi detyrën komandantit të sapoemëruar gjeneral brigade Irfete Spahiu.

Gjeneral brigade Irfete Spahiu është oficerja e parë grua, e graduar në këtë rang, nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe oficerja e parë në detyrën e Komandantit të Brigadës.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, përgëzoi gjeneral Cikaqin për të gjitha të arriturat në krye të këtij institucioni, duke thënë se sukseset e FSK-së na bëjnë të ndihemi krenarë dhe të mburremi me të arriturat e KDS-së.

Ai ka përgëzuar dhe uruar gjeneral brigade Irfete Spahiun, duke thënë se krahas misionit aktual që ka KDS-ja, duhet të përgatitet edhe për detyrat dhe përgjegjësit shtesë, që do t’i merren pas vendimit politik për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, FSK-ja ofron mundësi të barabarta për të gjithë oficerët, pa dallim gjinie, race dhe përkatësie etnike.

“Prioritet imi është qëndrueshmëria e institucionit dhe zhvillimi i mëtejmë i tij, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që trajnimet tona të jenë profesionale dhe të bazuara në standardet e NATO-s, pasi ky është qëllimi dhe synimi ynë, që ne të jemi pjesë e strukturave veri-atlantike dhe pjesë e NATO-s”, tha ai.

Ndryshe, në ceremoninë solemne ishin të pranishëm ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, zv. ministri Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori i NLAT-it, gjenerali Hofmann, ambasadorja e Turqisë, zonja Kiliq, komandanti i Kampit Bondstil etj.