Komandantët e mbijetesës
Këta nuk ideizuan, por u organizuan. Në eleminime, pasurim, hajni e dëgjueshmëri. Këta nuk çliruan, por u shfrenuan. U bënë zaptitë e shekullit të ri, përmes arrogancës si fuqi. Kjo edhe po e shuan UÇK-në – IDE. Sepse bashkë mund të të bëjnë shumë gjëra, vetëmse a janë a s’janë të fisme, pikëpyetje e madhe. Sepse brezi i ri nuk e di se ishim edhe më keq, por sheh yrnekun e tyre. E fatkeqësisht edhe helmohet nga yrneku i tyre. Me vrasjen e UÇK-së si ide, këta me padije e mbarsin këtë popull me vetonsurrojë.
Komandantët prapë bashkë po thonë. Mbase. Por komandantë që ose s’kishin ushtarë (pak me faj e pak pa fajin të tyrin), ose që edhe kur kishin, i mënjanonin e vritnin si kundërshtarë politikë. Pra këta janë të gjithë komandantë, pikërisht pse s’patëm sa duhej ushtarë. Këta nuk dolën asnjëherë për të rënë martirë idealistë. Dolën për të mbetur me patjetër gjallë, dhe për tu ngritur politikisht dhe financiarisht në një ndërrmarrësi të kontraktuar me ndërkombëtarët.
Këta s’e vendosën kurrë lirinë para jetës, por babëzitë e mbijetesës, pra të një jete tepër çmimlirë, por që e ardhmja e së cilës s’është edhe që s’kalkulohet e projektohet me kute oportune. Krejt në kundërshti primordiale me idealizmin dhe tejpërçimin e dëshirës/vullnetit për liri, në një situatë ku nuk do të mendohej fare më e keqja. Jo këta i menduan pasojat. Edhe më të keqen. Pasojat personale ama, dhe së këndejmi vetëm të keqen personale. Këta deshën liri jo me çmimin e vdekjes, por me çmimin e mbetjes në jetë. Me çmimin e mbijetesës. Shpëtimit pra. Shpëtimit nga jashtë të vetes. Katër here negacion i lirisë.
1. Mbijetesa si mishërim biologjik dhe kafshëror, që s’njeh etikën dhe moralitetin, por vetëm jetesën sot për nesër, mejdanin e shqyerjes së ndërsjellë, ku hyhet me guxim, por me pandjeshmëri. Sepse lloji i mbijetuar darvinian, nuk shpëton pse e çmon veten, por pse e di se s’ka çfarë të humbë dhe se është i lodhur nga kanosja. Dhe tekse s’ndjen, inkarnon jo trimëri e guxim që buçisin idealizëm e liri, por pandjeshmëri. Si tek vrasja e pashkas në filmin “Lady in Cage”. Sepse është tjetërgjë t’ia çmosh vetes e tjetrit jetën, e tjetërgjë të vdesësh apo të vrasësh nga pandjeshmëria, si tek “I huaji” i Kamysë.
Lufta me çdo kusht për mbijetesë e tyre, përshkruhet mbase më së miri tek proverba vendore: “Dekë se dekë…” Prandaj edhe këta ngjajnë vetëm në gjallesa por jo edhe në njerëz. Këta janë të ftohtë e çmimlirë, meqë gjëja më e shtrenjtë që mund të kenë njohur deri më 1998/1999 mund të ketë qenë arma e nxehtë. Janë biologjikë, prandaj edhe duan vetëm para, zhvatje, vetura e seks.
2. Kur panë se mund të ngjajë mosmbijetesa, disa nga ata ishin aq lakmitarë sa që deshën shpëtim. E kontraktuan në Rambuje, por me gjasë duke harruar se kontraktimi bie ndesh me idenë e ringut të shqyerjes. Pra s’dolën as darvinianë të guximshëm në pandjeshmëri, por një nënlloj i parëndësishëm i species gjithsesi darviniane, por kalkuluese.
3. Shpëtimi domosdo duhej të vinte nga jashtë. Këtu edhe nuk kanë shumë faj, meqë fati i kombeve të vegjël jo rralleherë ka qenë i tillë, por çështja është se këta nuk mund ta paramendonin veten jashtë defilesë pseudo-triumfaliste dhe përjetimit piemontesk të vetes, dhe shkuan aq larg saqë sot garojnë në dëgjueshmëri. U çuan kundër poshtërimit serbo-rugovist, racionalizuan një shpjegim bote – filiale të rugovizmit në dëgjueshmëri, vetëmse me kobure ndaj të dobëtit.
4. Mbijetesa si shpëtim nga jashtë, në vend të idealizmit për çlirim nga brenda, qoftë edhe me çmimin e humbjes dhe vdekjes, natyrisht se s’të lënë mendosh fort për tjetrin. Tjetri, kombi, vafshin në theqafje. Varfanjakë për bukë e varfanjakë për mend, përçapja e tyre në kapitalizëm të bënë ti mendosh të shtrirë kanapenë e poezisë si Bodlerit: “Rrjedh o helm porsi rrëke, të forcohemi edhe më shumë!/Na e dogj trurin kjo zjarrmi/rënshim n’këtë vorbull pa shikuar ferr a parajsë”.
Mbijetesë, shpëtim, thirrje në ndërkombëtare e rrahagjokësi nuk do t’i kenë më. E dhimbshmja është se pezullimi i këtyre lidhkave do t’u vije edhe nga jashtë edhe nga brenda.
Nuk do të munden as mbijetesa e bazuar në poshtërimin nga tjetri, dhe as mbijetesa e bazuar në poshtërimin e tjetrit t’ia ndalin hovin lirisë. Rimendimit të vlerës së njeriut, komunitetit, shoqërisë. Riedukimit, zhvillimit e prosperimit.
Komandantët e mbijetesës duhet dënuar me zbritje në jetë. Meqë mbijetesa e bazuar në babëzi dhe e lartësuar në stade mbi-jete, është lartësim i kafshërorës. I ndrydhjes jokrijimtare, e venitëse. Arroganës e pagdhendjes. Është tribut idiotizimit të mëtejmë në më të shtrenjtën tonë: kohën si atmosferë ushqyese dhe horizont i qenies.
Fillimi i ri po thonë, e s’jan as fillim as të rinj. Janë përsëritja e pambarim për t’i ripërtrirë të vjetrit dhe të vjetrën si shëmti. U duhet thënë ndal.