Komandant Jashari në ShBA, diskuton për bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive
Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se Komandanti, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari qëndroi në vizitë zyrtare në SHBA, më ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA).
Jashari ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2024” në Washington.
Sipas njoftimit nga FSK-ja, Gjeneral Jashari u takua me Shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Randy A. George, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive, stërvitjet e përbashkëta si dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta.
“Më pas Gjeneral Jashari u takua me Komandantin e Komandës së Asistencës Ushtarake të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Brigade Allan J. Pepper, ku u diskutua lidhur me asistencën në projektet e sistemeve të armatimit, pakot e trajnimit si dhe fusha tjera përkatëse.”
“Përveç pjesëmarrjes në sesionet kryesore të konferencës dhe panairit, Gjeneral Jashari gjithashtu u takua me përfaqësuesit e disa prej agjencive kyçe të mbrojtjes me fokus të veçantë rreth bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, u njoftua me zhvillimet më të fundit teknologjike, përmes prezantimeve informuese dhe paneleve të diskutimit mbi fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.” – thuhet në njoftim.
Jashari në këto takime, theksoi rëndësinë e madhe dhe mundësinë e shkëlqyer që ka pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar, për të vlerësuar faktin që krahas ndryshimit të kontekstit gjeopolitik, avancimit të teknologjisë ushtarake dhe avancimit të bashkëpunimit me shtetet aleate.
“Vizita e Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përderisa FSK po hyn në fazën përfundimtare të procesit të tranzicionit. Gjithashtu kjo vizitë shprehu rëndësinë e partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSK-së.