Kolona disa kilometërshe në Merdare shkaku i kontrollit të shtuar, disa shoferë në pritje nga e premtja
jë kolonë e gjatë prej disa kilometrash është krijuar në pikëkalimin kufitar në Merdare, në territorin e Serbisë. Kjo ka ndodhur si pasojë e kontrolleve shtesë që po aplikon Dogana e Kosovës nga java e kaluar për produktet me origjinë nga Serbia. Disa shoferë të kamionëve thanë se po presin në kolonë që nga e premtja.
Në një kolonë prej disa kilometërshe më shumë se 100 transportues po presin prej disa ditësh në Merdare, në pjesën e Serbisë. Kolona është krijuar për shkak të kontrollit të shtuar që po zbaton Kosova për importin e mallrave nga Serbia.
Shoferët e kamionëve janë të pakënaqur për shkak të pritjeve të gjata.
“Që nga e premtja jam këtu, nuk kam lëvizur as edhe një milimetër. Ky është një maltretim i pastër i njerëzve, po zgjat pafundësisht. Ky është vështirësim më i madh i punës dhe humbje nervish. Nëse vazhdon kështu, nuk ka më punë”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Radoslav Tanaskoviq, transportues.
“Këtu jam duke pritur nga e premtja, nga ora 18:00 e mbrëmjes. Jam nga Ferizaj. Ngarkesën e kam bërë të premten. Ja duke pritur. Katastrofë. Qe katër ditë jam tu pritë këtu. Qeveria jonë nuk lejon. Ka lejuar vetëm një doganë këtu. Ka tjera dogana, por nuk na lejon të shkojmë tjetërkund vetëm këtu”, thotë Sadri Selimi, poashtu transportues.
Dogana ka konfirmuar se në Merdare në ditë futen mesatarisht 8 maune me mallra serbe.
Aktualisht, mallrat serbe lejohen të hyjnë vetëm në pikëkalimin kufitar në Merdare.
Qeveria e Kosovës ka thënë se pikat tjera happen pasi të sigurohen skanerë. Skanerët shihen si zgjidhje për të mos hyrë në Kosovë gjëra që mund të cënojnë sigurinë.
Qeveria hoqi masën e ndalimit të importit të produkteve serbe më 6 tetor. Mallrat serbe nuk janë lejuar nga 15 qershori i vitit 2023 pasi qeveria ndaloi importin për arsye sigurie.
Kosovës iu kërkuar vazhdimisht largimi i masës. BE’ja, SHBA’ja dhe Gjermania ishin më kritiket.
Gjermania tha se masa e ndalimit dëmtonte Procesin e Berlinit si dhe CEFTA’n. Qeveria hoqi ndalesën vetëm një jave para 14 tetorit, kur u mbajtë takimi i 10’të i Procesit të Berlinit.