”Koll, ethe e teshtitje”, IKShPK-ja me këshilla se si të parandalohet virusi i ri kinez
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, ka lëshuar një njoftim për qytetarët lidhur me metapneumovirusin njerëzor (hMPV), duke ofruar informacione për simptomat dhe parandalimin e përhapjes së tij.
Sipas IKSHPK-së, megjithëse ky virus nuk është shpallur një emergjencë globale, autoritetet shëndetësore kanë forcuar masat e monitorimit dhe kujdesit për të parandaluar infektimin.
IKSHPK-ja ka theksuar se metapneumovirusi njerëzor, i cili shpesh shkakton simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm, përhapet përmes pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes, si dhe nëpërmjet kontaktit të ngushtë me individë të infektuar.
Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë, ndërsa për personat më të ndjeshëm si fëmijët, të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, mund të shkaktojë komplikacione të rënda si bronkit apo pneumoni.
Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, Instituti rekomandon që individët të mbajnë maska në hapësira të mbushura me njerëz, të mbulojnë kollën dhe teshtitjen, të praktikojnë larjen e rregullt të duarve dhe të qëndrojnë në shtëpi kur janë të sëmurë.
Ndërkohë, për çdo simptomë të dyshuar, është e rekomanduar konsultimi me mjekun për masat e kujdesit të duhur.
Gripi në Kosovë, Hashani: Kemi rritje të lehtë, nuk ka nevojë për shqetësim