Kodi Penal i 124 pleqve
Teksa fut nocionin “ontologji e aktualitetit”, filozofi italian Giano Vattimo, kujdeset të ndërfut edhe një koncept tjetër interesant: “ontologjitë e dobëta”, si një reference të nënkuptueshme e situimit postmodern në të cilin jetojmë: jetohet në epokën e copëzimeve, në kohën kur rizoma (Deleuze/Guittari) ka zënë vendin e rritës dhe degëzimit; kur “realiteti rezistent” (Heidegger), nuk na përplaset më së tablo, por si ishuj të ndarë, ku rrënja nxjerr kokën dhe mund të jetë e gjatë sa vetë dega e që kjo e fundit sygjeron në zhvillim dhe rritë lineare e vertikale.
Ontologjinë e dobët e jetojmë të gjithë ne. Por përderisa këtë popull e gjenë në simulacrum e të kapur nga realiteti naiv i përsëritshmërisë/rutinës ditore, mes varësisë së jetërave nga bizneset e Ramiz Kelmendit, nga mediat e nga realiteti virtual, i thënçin-presidenti na duket i zënë me diçka tjetër. Sakësisht me propozimet për Kodin Penal dhe Procedurë Penale.
Propozimet e fundit në këto dy segmente të ligjit moral, të ardhura jo pak muaj pasi që i thënçin-president-vendi shprehu gadishmëri për “betim me 124 pleq për mospasje gisht në vrasje”, janë një shembull në vete i përplasjes së rizomës me degën, i horizontales me vertikalen, respektivisht i thirrjes në përparim me format arkaike dhe paramoderne të dëshmimit e shfajësimit
Së pari mileti pa me sy e dëgjoi me vesh gadishmërinë e i thënçin-presidentit të vendit për be në formë tradicionale e pothuajse religjioze me 124 pleq (zhvleftësimi i individit, respektvisht ideja e individualizmit këu na del e vrarë 124 herë), për të dëgjuar po i njejti milet, nga po i njejti individ propozimet për Kodin Penal dhe Procedurë Penale, koncepte këto që anipse i kemi të dëgjuara nga të përjetuara nga koha e Jugosllavisë, në fakt origjinojnë nga koha napoleonike.
Dje një mik po më tregonte, se si për gjatë kohës së zhvillimit të Konferencës së Rambujesë i ndjeri Dino Asanaj i kishte telefonuar Thaçit dhe e kishte pyetur “çfarë numri e do katin e teshave?”. Thaçit që natyrisht nuk e kishte ditur përgjigjen, i kishte ngelur të pres, çkado që t’i sjell Asanaj, gjë që kishte rezultuar që në katin e teshave të sjellur nga Asanaj, Thaçi të hyjë si në thes. Pra, u mor vesh, i thënçin presidenti deri më 1999 nuk ka pasur dijeni për numrat e teshave e lëre më për konstitucionin modern, për çka nuk është krejt fajtor natyrisht.
Skizofrenia ontologjike dhe kulturore e këtij të pafati autoritar është e qartë: ta tërheqi së larti bimën rizomatike e ta bëjë pemë me degë. Le ta dëgjojnë maca e kuca margaritarin e besë me 124 pleq, por unë të thirrem në vlerat napoleonike. Njëfarë përpjekje sizifike që ngjan me besatimin e tërheqjes së flokëve të veta, si premtim për ta arritur qeillin (lexo pushtetin e humbur faktik që e ka pjestuar me Mustafën e Veselin). Zaten këtu është edhe krejt halli i tij: të ngulmojë në përpëlitje pushtetuese.
Hashim Thaçi e di që jeton në një vend ku Ali Jonuzi (ish komandant në rajonin e Shalës), ka gëzuar/gëzon më shumë autoritet se sa Enver Hasani, ish kryeatari i Gjykatës Kushtetuese. E di poashtu që edhe kryetar i shtetasëve të caktuar që edhe pas 500 vitesh thonë: “ksaj pune du me i shku me Kanun”, por edhe i disave që kanë një kanun tjetër: Sheriatin. Që dekada e fundit e shekullit XX këtë popull e kanë zënë me sipërmarrësinë e pajtimit të gjaqeve. E megjithatë ka vendosur të tërhiqet në skajin e ishullit më të madh të ontologjisë së dobët: konstitucionit ahtisaarian.
Thaçi nuk mund as të kodifikojë e as të penalizojë sepse s’mund të unifikojë. E si jounifikues, mbetet i thënçin president. Vetëm ndaloni edhe njëherë tek beja-me-124-pleq-për mos-gisht në vrasje. Me be këtu nënkuptohet be-ja në odë, pra shfajësimi para një pleqësie (dhe me të), komunitare që s’njeh hapësirën publike (në kuptimin kantian të fjalës).Pleqësia përbehet prej 124 vetash. Pra një mendësi aq kolektiviste saqë për shfajësimin e një personi propozon një numër 3 shifror (e ku të kenë pastaj rëndësi jeta e Astrit Deharit, Zejnepe Berishës, Naser Makollit, Xheneta Gashit, Dafina Zhubit e fatkeqëve të tjerë).
I thënçin-presidenti ka një skizofreni në rrugëtimin e tij nga ushtari në politikan, nga brojasi në prishtinas, nga marksist-leninisti në djathtist, dhe nga gjarpëri në lepur meqë pa fajin e vet, si qenie singulare dhe e vetëreferuar përbën ofendim estetik për intelegjencën dhe mendjen e shëndoshë. Pra pa hyrë fare tek përmbajtja e propozimeve të Kodit dhe Procedurës Penale, pa hyrë fare tek zgjedhja e tij e kontrabanduar si president, vetë relacioni Hashim-Kod Penal, është ofendues. Por të paktën të mos kaloj edhe në skizofreni epokale të së drejtës, madje duke na konsideruar idiotë që do i’a respektojmë propozimet.