KMDLNj pas Rezolutës së OKB-së për gjenocidin e Serbisë në Srebrenicë: E arritur e madhe, adreson saktë përgjegjësinë për krimet
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë.
Për rezolutën kanë votuar 84 shtete, 19 kundër dhe 68 abstenuan.
E lidhur me këtë reagoi sot Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
KMDLNj thekson se kjo është e arritur e madhe pasi adreson saktë përgjegjësinë për krimet në Srebrenicë, ndonëse nuk ka efekte juridike.
“Me nismën e disa shteteve, Kombet e Bashkuara miratuan një Rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet si Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit që ndodhi në Srebrenicë. Ndonëse kjo Rezolutë nuk prodhon efekte juridike dhe nuk është detyruese – obligative, për të drejtat e njeriut është një e arritur e madhe për faktin se qartë e cilëson krimin në Srebrenicë si gjenocid duke adresuar saktë përgjegjësinë për këtë krim dhe të tjera në hapësirat e ish – Jugosllavisë sikur që është një satisfaksion moral për viktimat në Srebrenicë dhe të gjitha viktimat tjera në hapësirat e ish – Jugosllavisë”, thuhet në reagim.
KMDLNj thekson tutje se shënimi i kësaj dite në kalendarin e Kombeve të Bashkuara si përkujtim i Gjenocidit në Srebrenicë forcon dhe ruan kujtesën historike ndërkombëtare për krime të tmerrshme e që identifikohen me Gjenocidin në Srebrenicë.
“Miratimin e kësaj Rezolute KMDLNj e konsideron si shumë të rëndësishme që të mos harrohet e kaluara dhe një porosi për ata që planifikojnë krime në të ardhmen se këto krime nuk do të mbesin të pahetuara dhe të padënuara, qoftë edhe moralisht. KMDLNj shpreson dhe pret se në një të ardhme të afërt të miratohen Rezoluta për Gjenocidin në Gaza dhe në Ukrainë”, thuhet tutje.