KMDLNJ: Ministria e Drejtësisë po ia mban zhagun ministrisë raciste të Danimarkës
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka thënë se Peter Hummelgaard, ministri danez i Drejtësisë po viziton Kosovën për të shënuar fillimin e rindërtimit të burgut në Pasjak të Gjilanit ku sipas këtij këshilli, dhunshëm dhe kundër vullnetit të tyre do të vendosen të dënuarit me dëbim nga Danimarka, të gjithë nga vendet e treta dhe asnjëri danez apo shtetas danez.
KMDLNJ tha se ministri danez nuk e fshehë urrejtjen raciste ndaj të dënuarve jodanezë duke ua dërguar kërcënimin se: “kriminelët e huaj nuk kanë të ardhme në Danimarkë ..” prandaj, sipas këtij këshilli, ua siguron ardhmërinë në Kosovë e cila siç thuhet në komunikatë, ka njëqindmijë probleme me të dënuarit e saj që vdesin nga mungesa e përkujdesjes shëndetësore.
“Ministri danez deklaron se me këtë marrëveshje shkarkohen burgjet e Danimarkës dhe se kjo qenka arsyeja e Marrëveshjes së nënshkruar midis Hans Hakerup, ish ministrit racist danez të Drejtësisë dhe Albulena Haxhiut, shkelëses flagrante të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në Kosovë për faktin se ka legalizuar trajtimin diskriminues dhe degradues me të cilin të dëbuarit nga Danimarka trajtohen si në hotele kurse të dënuarit kosovarë luftojnë për mbijetesë”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ tha gjithashtu se Ministria e Drejtësisië e Kosovës po ia mban zhagun ministrisë raciste të Danimarkës e që siç thuhet, nuk dallon asgjë nga ata.
“Nga Burgu i Gjilanit do të degdisen anekënd Kosovës, gjithashtu kundër vullnetit të tyre të burgosurit kosovarë për të liruar hapësirë për kriminelët e importuar nga Danimarka për të cilët po krijohen kushte sipas standardeve daneze. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përgjegjësi morale, institucionale dhe penale që, me votën e tyre mundësuan legalizimin e një marrëveshjeje diskriminuese, degraduese dhe raciste duke shkelur rëndë të drejtat e njeriut të të burgosurve kosovarë”.
“Ndërkaq, adresa kryesore e përgjegjësisë është ministrja Albulena Haxhiu që e ka mashtruar publikun sikur që ka bërë presion te deputetët ta votojnë këtë marrëveshje duke thënë se Kosova i humbë 200 milionë euro nëse nuk voton anipse Kosova po humbë shumëfish më tepër shkaku se bashkësia ndêrkombëtare i ka vendosë sanksionet. Këtë marrëveshje organizatat ndërkombëtare e kanë kundërshtuar duke e cilësuar si diskriminuese dhe raciste ndërsa Komiteti për Parandalim të Torturës i OKB – së i ka dërguar letër qeverisë së Danimarkës me kërkesë që kjo marrëveshje të anulohet shkaku se i shkelë të drejtat e njeriut”.
“Kjo, nuk ka mjaftuar për t’i bindur deputetët e padijshëm dhe të papërgjegjshëm të Kuvendit të Kosovës si dhe një ministre, gjithashtu të papërgjegjshme dhe tê padijshme që ta refuzojnë këtë marrëveshje. Këta nuk kanë bërë asgjë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e të burgosurve kosovarë ndërkaq që vdesin për të drejtat e burgosurve të dëbuar nga Danimarka që nuk janë danezë apo shtetas të këtij vendi dhe që nuk kanë asnjë informatë për çfarë vepra janë dënuar. KNDLNj ka bashkëpunuar me partnerë nga Danimarka për ta kundërshtuar këtë marrëveshje dhe nga është informuar se profili i të dëbuarve i takon kriminelëve të rrezikshëm, të papërmirësueshëm dhe recidivistë. Në mesin e tyre ka edhe ekstremistë fetarë”, thuhet tutje aty.
KMDLNj thotë se ka kundërshtuar dhe e kundërshton këtë marrëveshje që sipas tyre, rëndë shkelë të drejtat e të burgosurve kosovarë dhe u ka bërë thirrje familjarët e të burgosurve kosovarë të kundërshtojnë zhvendosjen e tyre në burgjet tjera kundër vullnetit të tyre.
“KMDLNj do të përkrahë të drejtat e të burgosurve kosovarë që ato të drejta të janë të njëjta me të drejtat e të burgosurve të dëbuar dhunshëm nga Danimarka e që do të vendosen dhunshëm në burgun e Pasjakut të Gjilanit”.
“Për KMDLNj vizita e ministrit danez të Drejtësisë është në funksion të legalizimit të dy sistemeve korrektuese vrenda një shteti prandaj nuk është i mirëseardhur”, thuhet tutje në komunikatë.