KMDLNJ kërkon publikimin e listës së përfituesve të subvencioneve, kritikohet gjuha e Pecit: Arrogant dhe shantazhues
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar që Ministria e Bujqësisë të publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për shkak të publikimeve të fundit që janë bërë për ndarjen e granteve ndaj familjarëve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
“KMDLNj kërkon që Ministria e Bujqësisë ta publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për faktin se dyshohet se në listën e papublikuar janë emra të partisë në pushtet e që duket se duan të kursehen”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së, dërguar mediave.
KMDLNJ e ka quajtur fjalorin e ministrit Peci si “arrogant” dhe “shantazhues” edhe ndaj anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, por edhe ndaj gazetarëve që hulumtuan këtë rast.
“Ministri i Bujqësisë, Faton Peci bëri përpjekje, si Pont Pilati të shfajësohet nga çdo përgjegjësi, me një fjalor arrogant dhe shantazhues, si ndaj një anëtari të LDK – së që e bëri publik lajmin, ashtu edhe ndaj gazetarëve dhe mediave që hulumtuan këtë rast dhe rastet tjera”.
“Kërcënimi i ashpër u drejtua kundër partive opozitare e sidomos ndaj njërit lider të partisë i cili u akuzua si “vrasës i patriotëve shqiptarë”.
Kërkesë e këtij këshilli ka qenë që Prokuroria e Shtetit të hetojë këto dyshime për shpërdorim të subvencioneve sa më shpejt që është e mundur.
“Ministria e Bujqësisë ka një buxhet të madh për subvencione andaj edhe mundësitë për keqpërdorime janë të mëdha. Ky rast nuk duhet në asnjë mënyrë të mbetet i pahetuar dhe të kalojë pa masa politike, institucionale dhe ligjore ndaj shpërdoruesve”.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të martën ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit, transmeton albanianpost.
Mediat në Kosovë kanë raportuar ditëve të fundit rreth favorizimeve familjare dhe shpërthimit të nepotizmit në Ministrinë e Bujqësisë.
Rreth këtij zhvillimi ka reaguar edhe Kooperativa Bujqësore “Krusha” pasi i është refuzuar paarsyeshëm aplikimi për grantin bujqësor nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë.
Që nga ardhja e Pecit, emrat e përfituesve të granteve nuk publikohen në faqen e Ministrisë