Klubi rus merr Dakun por nuk përmend askund Kosovën

Klubi rus merr Dakun por nuk përmend askund Kosovën

Mirlind Daku ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Por edhe hap të ndjeshëm po ashtu.

Sulmuesi nga Gjilani të martën është prezantuar te klubi i elitës ruse të futbollit, Rubin Kazan. Daku është transferuar nga Osijeku kroat, por prezantimi i tij nga Rubin Kazani nuk ishte fare korrekt.

Fillimisht Daku u prezantua në rrjetet sociale të klubit nga Republika e Tatarstanit. Aty u bë e ditur se Daku ka firmosur për tri vjet. Por nuk u shkrua askund se Daku është nga shteti i Kosovës, të cilin Rusia nuk e njeh. Për më tepër angazhohet vazhdimisht kundër tij.

Në rrjetet sociale, Rubin Kazani përmendi edhe klubet e mëparshme të Dakut. Por jo edhe ato të Kosovës. Klubi rus e shkroi që Daku ka luajtur për Kukësin e Shqipërisë, Murën e Sllovenisë dhe Osijekun e Kroacisë. Rubin Kazani në rrjetet sociale nuk e përmendi Ballkanin, ku Daku ishte i huazuar. Nuk e përmendi as Llapin, prej nga sulmuesi ishte transferuar tek Osijeku. Nuk e përmendi as Hajvalinë.

Me prezantimin diskriminues, Rubin Kazani ka vazhduar edhe në sajtin zyrtar. Sërish nuk është paraqitur vendi prej nga vjen Daku. Klubet janë përmendur por jo prej cilit vend janë.

“Rubini ka nënshkruar për tri vjet me sulmuesin 25-vjeçar, Mirlind Daku. Mirlind Daku është i lindur më 1 janar 1998 në Gjilan (ish-Jugosllavi). Ka luajtur për klubet ‘Llapi’, ‘Kukësi’, ‘Ballkani’, ‘Mura’. Kampionatin 2022/2023, Daku e kaloi te klubi slloven, Mura, ku shënoi 22 gola në 37 ndeshje”, shkruan në postim e Rubin Kazanit në sajtin zyrtar.

Tifozët e Rubin Kazanit kanë shprehur qëndrim anti-Kosovë në të kaluarën. Ka video të tyre duke thirrur “Kosova – Serbia”. Mbetet të shihet si do të pranohet Daku, që tani ka edhe pasaportë të Shqipërisë.

Daku te Rubin Kazani ka kaluar nga Osijeku i Kroacisë. Në edicionin e fundit ishte i huazuar te Mura në Slloveni, ndërsa shkëlqeu duke realizuar 22 gola gjithsej. 19 gola i kishte në kuadër të kampionatit, në 33 ndeshje. Ai ishte transferuar tek Osijeku në vitin 2018 nga Llapi. Ka luajtur huazim te Kukësi, Ballkani e Mura. Te Ballkani e Mura është shquar me gola të shumtë.

Sulmuesi gjilanas ka 13 paraqitje e tri gola për Kosovën U21. Te Kosova A ka luajtur në pesë ndeshje miqësore.

Mediat e afërta me Rubin Kazanin kanë shkruar se Daku është transferuar për 1,2 milionë euro.

Rubin Kazani është kthyer në elitën ruse për edicionin e ardhshëm. Edicionin e kaluar ishte në kategorinë e dytë. Ka dy tituj të Rusisë, në vitet 2008 e 2009. Kupën e Rusisë e ka fituar në vitin 2012, ndërsa Superkupën në vitet 2010 e 2012.

Futbolli në Rusi nuk është në momentin më të mirë. Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, skuadrat ruse e kanë të ndaluar të paraqiten në gara evropiane. Shumë lojtarë të huaj janë larguar nga Rusia. Por shumë kanë mbetur po ashtu. Te Akhmat Grozny paraqitet sulmuesi i krahut, Bernard Berisha.

Shpërndaje në: