Klopp për kritikat ndaj Nunez: Një sulmues me aftësitë e tij do të marrë kohë për t’u përshtatur
Jurgen Klopp ka folur rreth kritikave me të cilat po përballet Darwin Nunez, njëri prej përforcimeve në afatin kalimtar të verës.
Liverpooli e transferoi sulmuesin nga Benfica për 75 milionë euro – pa përfshirjen e bonuseve.
Nunez nënshkroi kontratë 5-vjeçare, teksa deri më tani ai është paraqitur në të tri ndeshjet miqësore të skuadrës angleze.
“Të Kuqtë” pësuan humbje 4:0 në miqësoren e parë me Manchester Unitedin, teksa të dytën e fituan 2:0 ndaj Crystal Palace. Nunez në këto ndeshje nuk la gjurmë, por shpërtheu pastaj me katër gola në fitoren 5:0 ndaj Leipzigut.
Rreth kritikave ndaj tij, Jurgen Klopp së fundmi dha një përgjigje.
“Ky ekip është më i miri që kam pasur ndonjëherë për t’i ndihmuar të ardhurit të përshtaten. Një sulmues me aftësitë e tij do të marrë kohë sepse është ndryshe nga ata që kemi pasur më parë”, tha ai.
“Ne nuk luajtëm në të njëjtën mënyrë si Benfica, kështu që mendoj se të dyja palët [Nunez dhe pjesa tjetër e lojtarëve] duhet të përshtaten. Ai nuk shënoi në dy ndeshjet e para në të cilat luajti më shumë se 50 minuta dhe ne u përballëm menjëherë me diskutime”, shtoi trajneri gjerman.
“Është një botë e çmendur. Pas kësaj, ai shënoi 4 gola në një lojë dhe filluan të diskutonin në mënyra shumë të ndryshme. Ai është një djalë me të vërtetë i mirë, i pëlqen të jetë këtu, lojtarët tanë që flasin spanjisht po e ndihmojnë vërtet atë dhe ai tashmë po mëson anglisht, duke punuar shumë për të kuptuar bazat. Gjithçka po shkon në drejtimin e duhur”, tha Klopp