Klina bëhet me qendër rinore
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me këtë rast u shpreh se kjo qendër rinore, do të jetë një ndihmesë e madhe për rininë e Klinës, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Klinës, me qëllim të përkrahjes financiare për projektin “Ndërtimi i Qendrës Rinore në Klinë”, në të cilin projekt MKRS-ja do të investojë 250 mijë euro.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me këtë rast u shpreh se përkrahja për rininë e Kosovës dhe krijimi i kushteve më të mira për të, është synim i MKRS-së, dhe shtoi se, kjo qendër rinore, do të jetë një ndihmesë e madhe për rininë e Klinës. Ai më tej u shpreh se MKRS-ja po bashkëpunon ngushtë me komuna të Kosovës dhe po ndihmon ato për të krijuar kushte bashkëkohore për rininë, që ajo të ketë mundësi për zhvillimin e aktiviteteve rinore.
Ndërsa kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, e falënderoi ministrin Shala për përkrahjen, dhe tha se ky është një lajm shumë i rëndësishëm për gjithë qytetarët e Klinës, sidomos për rininë e kësaj komune. /KultPlus.com