Këta janë burrë e grua, që humbën jetën dje në një aksident në Sllatinë
Një çift nga Prishtina, burrë e grua, rreth të pesëdhjetave, nuk jetojnë më.
Bekim Tora, 53-vjeç dhe bashkëshortja e tij, Shehide Tora, 49-vjeçe, vdiqën pas një aksidenti me veturë të enjten në mbrëmje në Sllatinë të Fushë Kosovës.
Vetura me të cilën ata po udhëtonin u rrokullis dhe si pasojë e lëndimeve, burrë e grua ndërruan jetë, tha Policia e Kosovës të enjten.
Vdekja e çiftit ka shkaktuar trishtim, pikëllim dhe dhimbje në familjen Tora.
Fëmijët e çiftit kanë njoftuar sot se varrimi i prindërve të tyre të ndjerë do të bëhet të premten në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.