Kjo s’ka ndodhur më parë | Qysh dështoi Hekuran Murati t’i qes rrogat me kohë? (Përmbledhje)
Mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik ende nuk i kanë marrë pagat. Krejt kjo, pasi Qeveria – konkretisht Ministria e Financave – e udhëhequr nga Hekuran Murati, dështoi t’i ekzekutoj ato për zyrtarët publik. Si erdhi deri te ky dështim?
****
Periskopi
Është hera e parë që pagat e sektorit publik nuk dalin me kohë. E gjithë papërgjegjësia po bartet tek Ministria e udhëhequr nga Hekuran Murati.
Sipas Ligjit Nr. 08/L – 196 për pagat në sektorin publik thuhet ndër të tjera;
“Paga paguhet për çdo muaj, nëpërmjet sistemit të pagave duke transferuar mjetet në llogaritë personale bankare, më së voni në ditën e fundit të punës së muajit”.
Ligji nuk u zbatua. E gjitha kjo erdhi, pasi nuk kishte Drejtor të Thesarit që ka autoritet t’i ekzekutoj pagat.
Deri pesë ditë më parë kjo Drejtori ka funksionuar me ushtrues detyre/zëvendës. Këtë funksion, që e ka ushtruar Nysret Koca, i ka skaduar mandati dhe ligji nuk ia lejon që i njëjti të marrë vendime pas kalimit të afatit të përcaktuar.
Ligji Nr.35 për Zyrtarët Publik
Neni 5. Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm.
Pra, Qeveria ka pasur kohë 12 muaj, ta emëroj dikë si Drejtor të Përgjithshëm të Thesarit, por nuk ia doli dhe punëntorët e shtetit nuk i morën pagat, siç është dashur me kohë.
Çka ndodhi sot?
Ministri Hekuran Murati, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi, i ‘mëshoi sharrë’ ligjit.
Murati jashtligjshëm caktoi një ushtrues tjetër detyre në pozitën e drejtorit të Thesarit.
Sic u mësua nga mediat, në këtë pozitë u caktua Xhevat Zejnullahu.
Caktimi i një ushtruesi të ri drejtori në këtë pozitë, u bë duke e shkelur Nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publik. Kjo pasi, askush nuk mund të caktohet ushtrues detyre më shumë se një vit.
“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”, thuhet në paragrafin 3 të këtij ligji.
Më tej, në paragrafin vijuese të këtij neni tregohet se duhet të respektohet paragrafi 3.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni”, është thënë në paragrafin 4 të nenit 25.
Vlen të theksohet se, Qeveria tash e një kohë të gjatë është duke ndjekur një praktikë e cila po vlerësohet jo e mirë.
Nga 16 ministri të Qeverisë (perfshirë këtu Zyrën e Kryeministrit), 8 prej tyre janë duke funksionuar me ushtrues detyre/zëvendës.
Ndërsa sa i përket agjencive ekzekutive, 29 prej tyre janë me ushtrues detyre/zëvendësues. /Periskopi/Enis Rrustemi/