Kjo grua zbuloi se vuante nga kanceri i gjirit në mënyrën më të paparashikueshme
Një kamera termale në një muze në Edinburg, Skoci, i shpëtoi jetën një gruaje 41-vjeçare pasi zbuloi një tumor në gjirin e saj të majtë, ende të padiagnostikuar.
Në maj të këtij viti, Bal Gill vizitoi Camera Obscura and World of Illusions në Edinburg dhe pozoi në dhomën me kamera termale, e cila u realizua në vitin 2009 dhe i lejon turistët të shohin zonat e nxehta të trupit.
“Vura re një zonë të nxehtë në gjoksin e majtë,” thotë Gill. “Na u duk e çuditshme dhe pasi pashë fotot e të tjerëve vura re që s’e kishin të gjithë. Mora foton, u largova dhe shijova pjesën tjetër të muzeut.”
Kur u kthye në shtëpi dhe pa sërish zonën e nxehtë në foto, ajo vendosi të kërkojë më shumë në Google. Kështu zbuloi se një zonë e nxehtë si ajo që vihet re më poshtë, ndonjëherë nënkupton prezencën e një tumori që kërkon më shumë gjak se zona e që ndodhet në sipërfaqe të lëkurës. Ajo la një orar te mjeku dhe u diagnostikua me kancer të gjirit.
Gill thotë se fotoja i shpëtoi jetën. Pas diagnozës, i shkroi muzeut dhe ndau me të tjerët historinë e saj. “E di që s’ishte ky qëllimi i kamerës, por mua më shpëtoi jetën,” thotë ajo.
Që nga ai moment, Gill i është nënshtruar dy operacioneve dhe është në pritje të të tretit për të parandaluar rritjen e masës tumorale.
Administratorët e muzeut u shokuan nga historia e 41-vjeçares dhe thanë se “u prekën kur lexuan letrën e saj.”
Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se imazhet termale nuk janë një metodë e përdorur gjerësisht për të diagnostikuar kancerin e gjirit dhe nuk duhen zëvendësuar me mamografitë e rregullta.
Burimi: PetaPixel