Kjo është metoda më e thjeshtë për pastrimin e njollave të verdha që krijohen nga deodoranti!
Krijimi i njollave të verdha nga përdorimi i deodorantit mund t’i bëjë rrobat tuaja të duken si të vjetra dhe të papastra, por me truket e mëposhtme ju nuk do e keni më një problem të tillë.
Përpara se të provoni një nga metodat e mëposhtme provojeni produktin në një pjesë të padukshme të veshjes për t’u siguruar nëse nuk e prish materialin.
Kripa
Kripa mund të përdoret dhe për rrobat me ngjyrë dhe për ato të bardha.
Ajo që duhet të bëni është të mbuloni me kripë copën ku është njolla e verdhë dhe ta lini përgjatë gjithë natës.
Në mëngjes mund ta lani me dorë veshjen dhe ta lini të thahet. Do të shihni që pjesa nën krahë do të jetë e pastër dhe pa njollë.
Uthulla e mollës
Edhe ky përbërës mund të zbardhë njollat e verdha nga materiali i pambukut, leshit e rrobave me ngjyrë.
Mos e provoni tek rrobat e bardha sepse mund t’i japë të gjithë veshjes një hije të verdhë.
Lagni me uthull molle njollën e verdhë dhe lëreni për 8-10 orë.
Limoni
Ju mund të spërkatni gjithashtu njollën për 5 deri në 10 minuta me lëng limoni dhe më pas ta shpëlani me ujë të ngrohtë.
Vodka
Vodka do të pastrojë shumë mirë njollat e deordorantit nga veshjet me ngjyrë.
Hidhni pak vodka mbi njollë dhe lëreni për disa minuta. Lajeni veshjen normalisht dhe do e vishni pa më të voglin shqetësim!