Kjo është koha më e mirë e ditës për të ushtruar (Foto)

Kjo është koha më e mirë e ditës për të ushtruar (Foto)

Një numër i madh i hulumtimeve janë kryer në temën e ushtrimeve dhe kohën më të mirë të ditës për të ushtruar. Hulumtimet nuk e kanë dhënë ndonjë rezultat konkret universal, por kanë treguar se më së miri është të ushtroni në kohën që ju përshtatet më së miri dhe se e gjitha është pak a shumë çështje e zgjedhjes personale.

Trupi e ka orën e vet të brendshme, të njohur si ritmi cirkadian. Kjo paraqet një cikël që i rregullon ndryshimet fizike, mendore dhe të sjelljes që ndodhin brenda 24 orëve.

Këto ndryshime mund të ndikojnë në atë se në ç’kohë të ditës do të dëshironi të ushtroni dhe cila kohë e ditës është më e mira për ju personalisht për të ushtruar.

Tipat e mëngjesit

Tipat e mëngjesit definitivisht duhet të ushtrojnë në mëngjes. Studimet kanë treguar se personat të cilët ushtrojnë herët në mëngjes, më rrallë i anashkalojnë stërvitjet dhe i qëndrojnë besnik orarit, dhe gjithashtu e menaxhojnë më mirë kohën e tyre gjatë pjesës tjetër të ditës.

Nëse do të ushtroni në mëngjes, sigurohuni që para ushtrimit të nxeheni mirë. Disa njerëz kanë probleme me ushtrimet në mëngjes, sepse ndiejnë marramendje dhe lodhje. Më së miri është të ushtroni para se ta hani mëngjesin, por në qoftë se ndieni lodhje dhe marramendje, ndërsa ushtroni në bark të thatë, hani diçka si një banane ose një filxhan jogurt.

Tipat e mbrëmjes

Ushtrimet në orët e pasdites ose të mbrëmjes mund të jenë të përkryera për t’u relaksuar. Disa persona besojnë se ushtrimet gjatë pasdites janë një mënyrë e shkëlqyeshme për ta larguar stresin dhe për t’u relaksuar në fund të ditës. Një numër i madh i personave ushtrojnë në orët e pasdites, sepse gjatë orëve të mëngjesit ndiejnë tension në muskuj dhe kanë nivel të ulët të sheqerit në gjak.

Ushtrimet e pasdites janë më të mira sepse jeni të zgjuar në mënyrë natyrale, temperatura e trupit është e ngritur dhe trupi juaj është më i ngrohtë dhe më fleksibël. Gjithashtu do ta ndieni një nivel më të lartë të energjisë, sepse gjatë ditës keni ngrënë normalisht dhe nuk ushtroni në bark të thatë, siç është rasti gjatë një seance ushtrimesh në mëngjes.

Nuk është aq e rëndësishme se cila është arsyeja që ju nxit për të ushtruar. Nëse është humbja e peshës, lehtësimi nga stresi apo përfitimet e tjera, por është e rëndësishme që të ushtroni rregullisht.

Organizojeni kohën ashtu që gjithmonë të arrini të ushtroni në kohën e ditës që ju përshtatet më së miri. Madje edhe ndryshimet e vogla në shprehi janë të mjaftueshme për ta mbajtur trupin tuaj të balancuar.

Shpërndaje në: