Kjo është fjala që Vetëvendosje nuk do që ju t’ia kujtoni

Kjo është fjala që Vetëvendosje nuk do që ju t’ia kujtoni

“Secili anëtar i Vetëvendosjes është i nevojshëm, por asnjë nuk është i pazëvendësueshëm!” – përsëriste Albin Kurti para tri vitesh, para katër vitesh, para dhjetë vitesh. Por, përsëritja u këput kur pushteti real u duk në horizont. Kësisoj, fjalia u ndrydh sepse në Vetëvendosje një njeri duhej të bëhej i pazëvendësueshëm.

Albin Kurti në atë vakt e dinte mirë që telashet shoqërore nuk na vinin nga havaja. Ato e kishin origjinën në sistemin politik dhe në praktikat abuzive të ushtruara prej partive tona në pushtet e në opozitë. Të gjitha këto parti ishin jodemokratike qysh në themelet e tyre. Ishte lideri i pazëvendësueshëm në një anë dhe argatët që i quanin me eufemizëm anëtarë, në tjetrën. Fjalia e mësipërme i sulmonte bash këta liderë e këta anëtarë.

Mirëpo, tash edhe vetë Kurti u bë i pazëvendësueshëm në Vetëvendosje. Njësoj si Veseli e Thaçi në PDK, si Haradinaj në AAK, Pacolli në AKR e Limaj në Nisma. Dështimi i tij për të prodhuar një parti politike me demokraci të brendshme do të ketë pasoja të rënda afatgjata për vendin tonë. Sepse, demokracia e brendshme nuk është veç një fjalë boshe, pa domethënie, ajo ndryen në vete zgjidhjen e shumicës së problemeve të mëdha shoqërore.

Mungesa e demokracisë së brendshme në partitë tona politike e pamundëson demokracinë në përgjithësi. Sepse, partitë politike përfaqësojnë vullnetin tonë në Kuvend e në Qeveri. Dhe, duke qenë të kapura nga njerëz të pazëvendësueshëm, qytetari kurrë nuk vendos për politika të reja, ide të reja, partneritete të reja. Albini e bën. Hashimi. Kadriu. Ramushi. Kjo tufë e vogël burrash llafazanë e rrebanë.

Po, ne mund të fryhemi sa të duam për zgjedhjet që i mbajmë, por ato nuk janë zgjedhje. Ne ‘zgjedhim’ veç sipas një kornize të paracaktuar nga këta liderë, e që përbëhet nga argatët e tyre të preferuar, dhe nga lista e tyre e dëshirave për vendin. Zgjedhjet nuk ekzistojnë. Edhe Albini me Vetëvendosjen u konformuan si të tjerët. Krejt çka na mbetet është të merremi me dramën patetike që prodhojnë rrebet e tyre. Rrebe që na e dëmtojnë buxhetin e shtetit duke na vendosur para zgjedhjeve tjera çdo dy-tri vjet kur këta prishen me njëri-tjetrin.

T’i kthehemi fjalisë edhe një herë. Ajo përveç që kërkon liderë të zëvendësueshëm, që nuk mitizohen, kërkon edhe anëtarë, prania e të cilëve është e nevojshme. Kush është i nevojshëm në Vetëvendosje? Askush. Sepse asnjëri nuk është anëtar. Nuk kryen funksion anëtari. Gara brenda kësaj partie është garë servilizmi. Ai që është servili më i madh për liderin, ai ka gjasa më të mira për të qenë i preferuari apo e preferuara e tij.

Së fundi, Vetëvendosje e ndërroi statutin e partisë ku kërkohej prej Kurtit të jepte dorëheqje sapo të emërohej si kryeministër. Imagjinoni deri ku shkon kjo formë ndërveprimi që njihet si servilizëm. Argatët e Kurtit e shembën një frymë të tërë që i mëshonte në rrënjë problemeve tona shoqërore, rendit tonë politik, vetëm që ta bënin shefin e tyre që të ndihej mirë e rehat në karrigen e kryeministrit. Sepse, në fund të fundit kryetari apo kryetarja e re e VV-së, prapë s’do të kishte gjasë t’ia merrte partinë nga brenda. Sot e 700 vjet. Por, edhe dyshimin më të vogël që mund t’i shkaktonte parehati e hoqën.

Pse ekzistonte ky statut? Sepse me shumë të drejtë besohej që një lider partiak në pozitën e ekzekutivit do të punonte për karrierën e tij të mëtejme politike, për partinë e tij, dhe jo për interesin e përgjithshëm. Vetëvendosja e dikurshme nuk besonte te njeriu, ashtu siç nuk beson sistemi penal i vendeve perëndimor. Na thuhet që të gjithëve na prezumohet pafajësia në gjyq, derisa të shpallemi të fajshëm por e vërteta është se të gjithë merremi si potencialisht të korruptuar, potencialisht egoistë e të ndyrë. Kjo e ka një bazë. Bazohet në gjetjet e antropologjisë, sociologjisë, psikologjisë e logjive tjera humane që e përzunë përrallën naive të feve abrahamike mbi njeriun e mirë kundër njeriut të keq. Të besosh se një njeri i zgjidh problemet e një shoqërie, sot, është njëjtë si të besosh në babadimër.

Albini i sotëm ka shkelur mbi të gjitha parimet në të cilat thirrej Vetëvendosja dikur. Pa fajin e tij. Jo veç në demokracinë e brendshme. U mor vesh gjatë dy viteve të fundit se nuk besonte te projekti i Bashkimit Kombëtar, të paktën jo deri në një ndryshim drastik rrethanash politike në Ballkan. E Bashkimi Kombëtar më herët nuk përmendej asnjëherë si një projekt i kushtëzuar nga ndonjë rrethanë. Albini i sotëm ka shkelur mbi parimin e “Vetëvendosjes” që është edhe emri i partisë së tij. Ky veprim është i pajustifikueshëm, pavarësisht çdo përpjekjeje nga fanatikët e partisë për ta justifikaur. Nuk mund të jetë rrethana aktuale politike, në vitin 2019, më e keqe për të thënë “Jo Negociata” se ajo në vitin 2007 kur Kosova nuk kishte shpallur pavarësinë dhe nuk ishte legjitimuar kjo shpallje e njëanshme nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Albini i sotëm nuk ka pasur plan qeverisës. Përkundër që u mundua të nxirrej me disa ide të kopjuara nga i djathti ekstrem Viktor Orban i Hungarisë, në fakt ai nuk kishte asnjë ide. I ndërronte ato për dy-tri javë, siç ndodhi me rritjen e buxhetit për Ushtrinë, kur një herë tha se do t’i investonte gjashtëqind milionë për katër vjet, e pak më vonë katërqind.

Por, në Vetëvendosje nuk ka vend për përgjegjësi dhe prandaj rrëshqitjet e tilla janë krejt normale. Me nuhatjen e pushtetit, kjo parti e pezulloi demokracinë. Dhe tashmë, një qeverisje tjetër shkel-e-shko dhe e diktuar nga rrebet e një lideri tjetër na pret. Nuk i besohet njeriut! Prandaj ekzistojnë mekanizmat e shtetit, gjithë ato ndalesa e urdhëresa. Pa parti politike të cilat do t’i bëjnë vend përgjegjësisë, dhe ku përnjëmend secili do të jetë i zëvendësueshëm, nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi përveç atij kozmetik.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: