Kina ka fluturaken ‘jashtëtokësore’: Nuk është UFO, por helikopteri luftarak “Peshkaqeni i madh, i bardhë”
Një helikopter luftarak kinez i quajtur “super peshkaqen i madh i bardhë” është prezantuar në një ekspozitë të helikopterëve në qytetin kinez të Tianjin.
Modeli i helikopterit të prezantuar duket si një pjatë fluturues, kurse prototipi i tij është planifikuar të bëjë fluturimin e parë në vitin 2020.
Siç raporton RTS, përcjell Telegrafi, ekspertët ushtarakë kinezë kanë thënë se bëhet fjalë për një fluturake të një karakteri krejtësisht eksperimental dhe se, edhe nëse vendoset të aplikohet në praktikë, nuk pritet të bëhet së shpejti.
Puna në këtë model është e dobishme për sa i përket zhvillimit të teknologjive të fluturakeve në të ardhmen, thanë ekspertët.
Fluturakja, e ngjashme me ato në filmat fantastikë shkencorë, është e gjatë 7.6 metra dhe e gjerë 2.85 metra. Kabina e pilotëve me dy ulëse është e vendosur në mes të strukturës unazore të fluturakes, e cila, me dy turbo motorë mund të zhvillojë shpejtësi të mëdha – deri në 650 kilometra në orë, përcjell Telegrafi.
Helikopteri peshon gjashtë tonë dhe mund të fluturojë në lartësi deri në 6,000 metra.
Fluturimi i parë i prototipit të helikopterit me dizajn futuristik do të bëhet në vitin 2020, në manifestimin “Airshow China 2020” në qytetin Juhaj, në provincën jugore të Guangdong-ut.
Ekspertët ushtarakë thonë se janë arritur shpejtësi të mëdha dhe nivele të ulëta të zhurmës, dhe se kur bëhet fjalë për helikopterët e së ardhmes, do të nevojitet punë shtesë për t’i mirëmbajtje më të lehtë dhe besueshmëri më të lartë. /Telegrafi/