Kievi pa rrymë dhe ujë, Rusia kryen sulm masiv ajror në Ukrainë
Autoriteti shtetëror i energjisë i Ukrainës njoftoi se po aplikon ndërprerje emergjente të energjisë pas një sulmi masiv me dronë dhe raketa nga Rusia në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase më 26 gusht.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitçko, tha se furnizimi me ujë dhe energji elektrike në disa pjesë të kryeqytetit është ndërprerë, ndërsa Rusia nisi sulmin e saj në shkallë të gjerë gjatë orëve të para të mëngjesit.
Në një mesazh, zyra e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dënoi siç e quajti ai “dëshirën e Rusisë për të shkatërruar sektorin” ukrainas të energjisë dhe premtoi se kjo “do t’i kushtojë shumë Rusisë”, përfshirë infrastrukturën e saj.
Ndërkohë, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, u bëri thirrje aleatëve të Kievit ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët, me të cilat e ka furnizuar Perëndimi për të kryer sulme me rreze të gjatë kundër Rusisë.
Yermak tha se kjo do të “përshpejtojë fundin e terrorit rus”.
Sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ruse sulmuan disa qytete ukrainase, duke vrarë të paktën tre persona dhe plagosur disa të tjerë.
Një person u vra dhe një ndërtesë banimi u dëmtua në qytetin veriperëndimor të Lutskut, sipas kryetarit të qytetit, Ihor Polischuk.
Dy persona u vranë në rajonet Zaporizhja dhe Dnipropetrovsk, sipas autoriteteve lokale.
Në rajonin Poltava, pesë persona u plagosën pasi një objekt industrial u godit nga bombat.
Tre shpërthime u raportuan në rajonin e Vinitsia.
Më herët, 16 rajone në Ukrainë, përfshirë kryeqytetin Kiev, ishin nën alarme të reja për sulme ajrore pas sulmeve me valë dronësh nga Rusia më 26 gusht.
Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës kishte paralajmëruar qytetarët që të mos injorojnë alarmin e sulmit ajror pasi kishte zbuluar ngritjen e 11 bombarduesve rusë Tu-95MS.
Komanda shtoi se kishte zbuluar lëvizje dronësh në disa rajone dhe në Kiev, ndërsa Marina e Ukrainës tha se në Detin e Zi gjendeshin katër anije ruse që mbanin deri në 28 raketa lundrimi Kalibr.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se 20 dronë ukrainas ishin shkatërruar gjatë natës.
Guvernatori i rajonit Saratov të Rusisë, Roman Busargin, tha se dronët kishin shënjestruar qytetet Saratov dhe Engels dhe kishin dëmtuar dy ndërtesa banimi.
Ai tha se dëmi u shkaktua nga mbetjet që ranë pasi sistemet e mbrojtjes ajrore qëlluan dronët.
Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se katër gra u plagosën në Saratov dhe se një grua u shtri në spital.
Nuk u raportuan viktima në Engels.
Engels dhe Saratov ndodhen në brigjet e kundërta të lumit Vollga, me një bazë ushtarake strategjike të bombarduesve që ndodhet rreth 12 kilometra larg nga vendi ku u kapën dronët.
Saratov është rreth 900 kilometra nga kufiri ukrainas.
Duke cituar zyrën e shtypit të aeroportit, agjencitë e lajmeve thanë se fluturimet u kufizuan në aeroportin rajonal të Saratovit.
Radio Evropa e Lirë nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këto raportime.
Ukraina dhe Rusia këmbëngulin se nuk synojnë civilët në sulmet e tyre, por infrastrukturën kritike luftarake. / REL/