Kica-Xhelili i reagon ministres Haxhiu: Bëja më mirë si Kusari, e mos fol fare

Kica-Xhelili i reagon ministres Haxhiu: Bëja më mirë si Kusari, e mos fol fare

Me tri pyetje i është drejtuar deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, lidhur me komunikimin Kusari-Lila – Radojiçiq.

Kica-Xhelili, e ka cituar Haxhiun në përgjigjen që ajo ka dhënë për bisedën Kusari-Lila-Radojiçiq, dhe të njëjtës i është drejtuar me tri pyetje, në veçanti se si u la të ikte nga Banjska ai.

Më pas e ka porositur atë që “nëse s’ka asgjë të vërtetë për të thënë, bëja më mirë si shefja e grupit të VV, e mos fol fare”.

Postimi i saj i plotë:

“Ministrja e Drejtësisë, e pyetur për komunikimin e Mimoza Kusari Lilës me Milan Radojçiçin, paska thënë: Opozita po kërkon ta zhvendos vëmendjen nga “dështimi” për zgjedhje. Gjithashtu paska thënë që opozita nuk po e kërkon dorëzimin e Radojçiçit nga Serbia.

Unë i kam disa pyetje:

1. Ministre, si i erdhi puna Radojçiçit që të arratiset në Serbi “nën sovranitetin” absolut tuajin? Pse i krijuat korridor që ai të ikë pas sulmit terrorist në Banjskë? E pastaj na flet se si ju qenkeni patriot sepse kërkoni që Serbia të dorëzoj dikë që ju vet e lejuat të ikë?

2. Çka është qëndrimi yt për komunikimin e shefes së grupit TËND parlamentar me po këtë kriminel që Serbia nuk po e dorëzon?

3. Zgjedhjet. Cilat zgjedhje Ministre? Ato ku nuk ju funksionoi pazari me PDK? Ato ku zhvendosët vëmendjen nga dështimi ENORM në Këshill të Evropës për fajin tuaj? Ato ku zhvendosni vëmendjen nga letra skandaloze e Ministres së Punëve të Jashtme ku i luste akterët e KE, aman” na fusni në agjendë se ja po e bëjmë draft statutin e Asociacionit menjëherë?

Nëse s’ke asgjë të vërtetë për të thënë, bëja më mirë si shefja e grupit të VV, e mos fol fare!”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Shpërndaje në: