Kiana Kryeziu ia siguron Kosovës medaljen e argjendtë në garën ndërkombëtare
Skitarja kosovare, Kiana Kryeziu, ka fituar medaljen e argjendtë në garën ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), që po mbahet në Kollashin të Malit të Zi.
Kryeziu fitoi medaljen në disiplinën e sllallomit, duke përfunduar në vendin e dytë nga 15 pjesëmarrëse.
Koha e saj ishte 1 minutë e 57.77 sekonda.
17-vjeçarja arriti të përmbush kriterin e dytë për normën olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Për të fituar normën, i duhen edhe tri rezultate me më pak se 160 pikë të FIS-it.
Në konkurrencën e njëjtë, Arba Pupovci u rendit e shtata.
Gara e meshkujve e planifikuar për sot në sllallom u anulua shkaku i kushteve jo të përshtatshme të borës.
Për ekipin kosovarë që po drejtohet nga përzgjedhësi i Kombëtares, Agim Pupovci, gara e sotme ishte e fundit për këtë vit, kurse menjëherë nga janari do të vazhdojnë me gara tjera.