‘Kiamet’ në Kosovë pas vërshimeve: Shembje urash, prishje rrugësh, erodime e rrëshqitje dheu
Tema kryesore e këtyre ditëve të fundit janë pa mëdyshme vërshimet nga shiu i rrëmbyeshëm që ka rënë anë e mbanë Kosovës. Këto vërshime kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në vendin me ekonominë të goditur rëndë edhe nga pandemia e Covid-19.
Nëse viti i mirë shihet në ditët e para të tij, atëherë Kosova do t’i ketë punët keq edhe më 2021. Të shpresojmë që jo! Sidoqoftë, prej të premtes, 8 janar, në Kosovë pati reshje të rënda shiu, e bore, që shkaktuan vërshime të një shkalle të paparë që nga paslufta.
Mbrëmja e së premtes në fakt ishte veçanërisht e bukur pasi po binte borë goxha e madhe, borë që mbulonte shëmtitë e qyteteve tona. Por, krahas borës nuk u ndal as shiu që shkaktoi dëme të rënda materiale.
Komunat më të prekura sipas komandantit të FSK-së, Rrahman Ramës, janë Drenasi, Fushë Kosova dhe Klina. Sidoqoftë, mjaft drithëruese ishin edhe pamjet nga komuna e Malishevës, ajo e Rahovecit dhe e Prishtinës, komenton Periskopi.
Një rrugë e asfaltuar në prillin e vitit të kaluar në Malishevë u bë virale në Facebook, me asfaltin e ri që ishte prishur krejtësisht në segmente të caktuara.
Të rënda ishin pamjet edhe në qytetin e Fushë Kosovës, që vuan tash e sa kohë nga mbi-popullimi, dhe ku niveli i ujit e bënte të dukej si një farë Venediku josimpatik.
Ndërkohë, së fundi është raportuar edhe për një urë të rrëzuar në një fshat të Kamenicës të quajtur Hajnoc. Kjo prishje ure kishte shkaktuar bllokimin e një rruge dhe izolimin e banorëve të dy fshatrave.
Por, nuk përfundon me kaq. Vërshimet kanë shkaktuar fatkeqësisht edhe rrëshqitje dheu në Gjilan.
“Në pjesën Gjilani 2, në disa pjesë për shkak të reshjeve të shiut ka erodime dhe rrëshqitje të dheut (Rr.Shpashnice e Eperme -Desivojce Kilometri 55-60), por që është intervenuar.” – shkruhet nga Ministria e Infrastrukturës.