KGJK pranon listat e kandidatëve për deputetë: Verifikimi është duke u zhvilluar dhe do të përfundojë brenda afateve ligjore

KGJK pranon listat e kandidatëve për deputetë: Verifikimi është duke u zhvilluar dhe do të përfundojë brenda afateve ligjore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar ndihmën e katër institucioneve për të verifikuar kandidatët për deputetë që po garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm, përfshirë Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

 

Nga ky institucion i kanë thënë  Express se kanë pranuar për verifikim emrat e personave që synojnë karrigen e deputetit.

KQZ ka njoftuar se 25 subjekte politike dhe mbi 1280 kandidatë kanë aplikuar që të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se ka kërkuar nga institucionet kompetente që të bëjnë verifikimet e nevojshme sa u përket kandidatëve, përfshirë edhe KGJK’në.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës,  kanë thënë se kanë pranuar per verifikim listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare.

Më tutje thuhet se procesi verifikues është duke u zhvilluar dhe se i njëjti do të përfundojë brenda afateve ligjore.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), komfor mandatit të tij, ka pranuar për verifikim listat e kandidateve për zgjedhjet e rregullta parlamentare të cilat do të mbahen me 09.02.2025. Procesi verifikues është duke u zhvilluar dhe i njëjti do të përfundoj brenda afateve ligjore”, kanë thënë nga KGJK.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’ua dërgojnë emrat që janë të dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim efektiv.

“Në këtë nen, parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv, andaj me qëllim të verifikimit kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.”

KQZ ka një kërkesë edhe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa

“Gjithashtu, ky nen specifikon që kandidat nuk mund të certifikohet një person i cili është zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga PZAP-i të bëjë verifikimet në raport me këto kufizime ligjore.”

Elezi ka shtuar se KQZ do të bashkëpunojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme që të verifikojnë që kandidatët për deputetë nuk janë funksionarë me status të veçantë në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publikë apo anëtarë të shërbimit të jashtëm dhe përfaqësuesë diplomatikë.

“Neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është funksionar me status të veçantë në bazë të Ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë apo anëtar i shërbimit të jashtëm dhe përfaqësues diplomati. Për të bërë verifikimet e nevojshme edhe për këto kufizime ligjore, ne do të bashkpëunojmë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëe të Jashtme dhe e Diasporës.”

Ndërsa vetë KQZ do të verifikojë që kandidatët nuk janë kryesues apo anëtarë të KQZ’së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Shpërndaje në: