KFOR’i tregon helikopterët “Blackhawk”, njofton se ushtarët amerikanë dhe zviceranë kanë kryer stërvitje
Ushtarët amerikanë dhe zviceranë të misionit të KFOR-it kanë kryer trajnime të përbashkëta në helikopterët amerikanë Blackhawk.
“Ushtarët amerikanë dhe zviceranë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të NATO-s, KFOR, u bënë bashkë për të kryer trajnime të përbashkëta të aviacionit dhe për MEDEVAC (evakuim mjekësor) në helikopterët amerikanë Blackhawk në Kampin Bondsteel, Kosovë”, ka njoftuar Misioni në faqen e tij.
Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it në mbështetje për të gjitha komunitetet në Kosovë, shtoi KFOR.
Helikopterët “Black Hawk” janë helikopterë ushtarakë shumëfunksionalë, të prodhuar nga kompania amerikane Sikorsky. Ata përdoren kryesisht për transportin e trupave, evakuim mjekësor, mbështetje ajrore dhe operacione të tjera ushtarake.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.
KFOR-i shtoi se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Express/